Banka e Shqipërisë miratoi në mbledhjen e ditës së mërkurë disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”, që pritet të sjellin një shtrëngim të ndjeshëm në praktikat e huadhënies së institucioneve të mikrofinancës.
Projektrregullorja u ishte dërguar për konsultim palëve të interesit vetëm në gjysmën e dytë të muajit të kaluar, ndërsa me një proces të përshpejtuar dhe jo të zakonshëm në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë, ndryshimet u miratuan në mbledhjen e datës 2 tetor.
Sipas njoftimit zyrtar, këto ndryshime erdhën në kuadër të paketës së ndryshimeve rregullative për mbrojtjen e konsumatorëve, si reagim i Bankës së Shqipërisë ndaj disa çështjeve të hasura në tregun ku këto institucione operojnë.
Banka e Shqipërisë shprehet se ndryshimet e rregullores përcaktojnë parime të përgjithshme në procesin e kryerjes së analizës financiare ndaj kredimarrësve konsumatorë, ku theks i veçantë vendoset në vlerësimin e qëndrueshmërisë së të ardhurave dhe kapacitetit pagues të kredimarrësit, si dhe synohet parandalimi i praktikave të kredidhënies së papërgjegjshme për të shmangur vështirësitë e panevojshme financiare dhe situatat e mbiborxhit për konsumatorët.
Ndryshimet parashikojnë përfshirjen e disa kërkesave të shtuara për vlerësimin e aftësisë paguese të kredimarrësve në kontratat e kredive konsumatore për subjektet financiare jobanka në veprimtarinë e kredidhënies dhe për institucionet financiare të mikrokredisë, përfshirë edhe detyrimin për subjektet që përpara dhënies së një kredie dhe gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj të kryejnë vlerësimin e aftësisë paguese të konsumatorëve, bazuar në të dhëna dhe informacione të mjaftueshme, të sakta dhe të përditësuara, të cilat duhet të verifikohen në mënyrë të arsyeshme nga subjekti.
Gjithashtu pjesë e ndryshimeve është edhe shtimi i një kërkese për subjektet financiare jobanka që blejnë kredi me probleme, të cilat në momentin e klasifikimit të portofolit të këtyre kredive nuk mund t’i klasifikojnë si kredi jo me probleme, nëse shlyerja e kësteve të kredive të blera bëhet nëpërmjet një kredie. Këto ndryshime hyjnë në fuqi më 1 janar 2025.
DSTI maksimal rritet nga 40% në 60%
Varianti i miratuar i rregullores së re nuk është publikuar ende, megjithatë, sipas burimeve të “Monitor”, Banka e Shqipërisë ka pranuar të reflektojë disa komente të argumentuara nga institucionet financiare.
Ndryshimi më i rëndësishëm në raport me variantin fillestar, të hedhur për konsultim, është se raporti i shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave (DSTI) do të ketë një nivel tavan të lejuar prej 60%, nga 40% që ishte në variantin e hedhur për konsultim.
Mbështetur në parashikimet e rregullores, një institucion financiar jobankë nuk do të lejohet të japë në të njëjtën kohë më shumë se dy kredi konsumatore për të njëjtin huamarrës.
