Banka e Shqipërisë njoftoi të martën se ka blerë 270.5 milionë euro në tregun e brendshëm valutor vetëm për tremujorin e tretë të vitit.
Sipas informacionit nga Banka Qendrore, në ankandet e planfikuara me qëllim rritjen e rezervës valutore u blenë 94.4 milionë euro. Ndërsa shuma e blerjeve direkte, me qëllim për të frenuar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit Euro-Lek ishte edhe më e madhe, me gjithsej 176.1 milionë euro.
Banka e Shqipërisë i nisi blerjet direkte të valutës qysh në muajin maj dhe i vazhdoi ato deri në fillim të muajit gusht. Më pas, operacionet e blerjes direkte të valutës rifilluan në tremujorin e katërt të vitit, por megjithatë vlerësohet se blerjet kanë qenë më të ulëta krahasuar me tremujorin e tretë.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2024 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej më shumë se 542 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.
Kjo është me diferencë të madhe vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit.
