Zv/kryeministrja Belinda Balluku duhej të kishte dhënë dorëheqjen që në momentin kur SPAK nisi hetimet ndaj saj dhe e mori të pandehur, pasi qëndrimi në detyrë rrezikon hetimet dhe mund të çojë në prishjen e provave. Kështu u shpreh Ilir Alimehmeti, anëtar i Partisë Demokratike dhe i Këshillit Bashkiak të Tiranës, në një intervistë mediatike.
Sipas Alimehmetit, nëse Balluku nuk pati kurajon të bënte aktin moral dhe politik të dorëheqjes, atëherë ishte detyrë e drejtpërdrejtë e kryeministrit Edi Rama që ta shkarkonte menjëherë nga detyra. “Kjo histori nuk duhej të kishte shkuar kurrë deri këtu. Në momentin që ajo nuk u largua vetë, Rama kishte për detyrë ta shkarkonte”, u shpreh ai.
Alimehmeti kritikoi ashpër edhe faktin që vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin e Ballukut u ankimua në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar këtë si një veprim të panevojshëm dhe politikisht të gabuar. Sipas tij, procesi po zvarritet qëllimisht për të fituar kohë, ndërsa dëmi ndaj besimit publik thellohet çdo ditë.
“Ne nuk po paragjykojmë fajësinë, por po flasim për përgjegjësi politike dhe morale. Kur je nën hetim penal në një post kaq të lartë, largimi nga detyra është minimumi që duhet bërë”, theksoi Alimehmeti, duke shtuar se qëndrimi i Ballukut në detyrë cenon seriozisht procesin hetimor.
Ai u shpreh se fundi i kësaj çështjeje dhe i vetë qeverisë është i ditur. “Balluku dhe kjo qeveri i kanë ditët e numëruara. Kjo është një telenovelë politike, fundi i së cilës dihet”, deklaroi ai, duke nënvizuar se zgjidhja është thelbësisht politike.
Sipas Alimehmetit, opozita ka një objektiv të qartë: dorëheqjen e qeverisë aktuale, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ai theksoi se protestat do të vijojnë dhe se presioni qytetar është i vetmi mekanizëm për të shkurtuar “ditët e kësaj qeverisjeje”.
“Nëse nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, Shqipëria nuk ka zgjidhje. Zgjidhja është politike dhe do të vijë përmes largimit të kësaj qeverie”, përfundoi Alimehmeti.
