Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka dalë hapur në mbrojtje të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas debatit për kërkesën e SPAK për arrestimin e saj.
Në një konferencë për mediat nga selia e Partisë Demokratike, Balliu deklaroi se Rama po përdor standard të dyfishtë, duke mbrojtur Ballukun ndërsa sipas tij qytetarët e zakonshëm nuk trajtohen në të njëjtën mënyrë nga drejtësia.
Sipas deputetit demokrat, qëndrimi i kryeministrit se Ballukut po i bëhet një “gjyq publik” dhe se paraburgimi nuk është masë e drejtë tregon një qasje të ndryshme nga ajo që është mbajtur në raste të tjera.
Balliu u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar nga opozita para Parlamentit.
“Nesër në orën 10 të bashkohemi në protestë para Kuvendit. Zëri i qytetarëve është forca më e madhe kundër padrejtësisë”, u shpreh ai.
