Avokati i familjes Haklaj, Idajet Beqiri, ka zbuluar detaje të reja nga dosja “Tropoja”, për të cilën Prokuroria e Posaçme (SPAK) po heton vrasjet e 200 djemve të kësaj zone. Sipas tij, SPAK po gjurmohen 26 persona të përfshirë në këto krime, duke theksuar se hetimet po avancojnë me seriozitet. Kjo çështje është një nga më të rënda dhe më të ndjeshme në historinë e kriminalitetit shqiptar, ndërkohë që avokat Beqiri bën përgjegjës dhe akuzon drejtpërdrejt ish-kryeministrin Sali Berisha si arktiket dhe urdhërues të këtyre krimeve. Gjatë një interviste për gazetën zoti Beqiri gjithashtu ka bërë një paralajmërim të fortë për Sali Berishën, duke thënë se ai rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm për krimet dhe aferat e tij. Kjo do të thotë se situata për Berishën po bëhet gjithnjë e më serioze, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit lidhur me aferën “Partizani”, e cila mund t’i duket një çështje e lehtë krahasuar me ato që pritet të dalin në dritë nga hetimet sa i takon dosjes “Tropoja”.
-Ju z. Beqiri, jeni avokat në një çështje tjetër po kaq të nxehtë ku keni sjellë Zylfie Haklajn e cila ka dëshmuar për mbi 10 orë në SPAK. Çfarë po ndodh me dosjen “Tropoja”, ku ju jeni përsëri avokat i familjarëve?
Hetimet kanë avancuar shumë. Më shumë është marrë me administrimin e dosjeve të pezulluara, ato janë studiuar me vëmendje nga ana e SPAK. Gjithashtu po gjurmohen ato 26 persona me në krye frymëzuesin dhe udhëheqësin me në krye Sali Berishën, i cili ka bërë për këto shfarosje masive, këto akte barbare e terroriste ndaj Tropojës në përgjithësi, por familjen Haklaj thuajse e shuan.
-Keni komunikime me Zylfie Haklajn këto kohë?
Po, komunikojmë vazhdimisht me familjen dhe me babanë, Muharremin i cili dhe pse në një moshë të thyer e mban veten, me vëllain tjetër të Zylfies, me Aishen më shumë. Mbajmë komunikime e kontakte të vazhdueshme dhe çdo të re që marr vesh nga hetimi. Është një hetim shumë kompleks pasi ka shumë të implikuar e të pandehur që do të merren në përgjegjësi penale por është dhe pengesa tjetër që një pjesë prej tyre që kanë qenë ekzekutore të tjera, janë ekzekutuar vetë dhe nuk janë në jetë më. Edhe ajo çështje në ngarkim të Sali Berishës dhe bandës së tij është në proces hetimi. Sikurse e shikoni, janë shumë dosje kundër Berishës dhe dosja e kompleksit “Partizani” është vetëm një majë gjethe. Ndërsa dosjet tjera janë serioze, tepër të rënda dhe që parashikojnë burgim të përjetshëm. Është i afërt ndëshkimi i Berishës, pasi çështja “Partizani” shkoi në gjyq dhe në këtë drejtim po përpiqen të sigurojnë një numër të caktuar deputetësh që të konsiderohet përsëri opozitë dhe të mos lënë me këto veprimet e egra të afrohet ajo opozita e re që po tenton me forcat e reja politike që të futet në veprim në kuadër të bërjes së vendit me opozitë.
-Artan Hoxha ka dorëzuar në SPAK në kasetë të fshehtë, një diktofon i cili ka regjistruar vetë bisedat e zyrtarëve të lartë të Gardës. Ju jeni avokat i familjarëve të viktimave të “21 Janarit”, çfarë mund të na thoni pak më shumë për këtë çështje, çfarë trajte do të marri dhe çfarë ka në këtë diktofon, çfarë bisedash janë regjistruar?
Është një proces që po ecën, SPAK-u po punon në këtë drejtim, ka marrë në pyetje edhe persona që i ka nën hetim. Ka bërë dhe një plan për radhën e pyetjeve që do të bëj për të tjerët. Në fazën që ndodhemi, ka shumë rëndësi kjo kasetë audio-regjistrimi sepse regjistrimi është bërë në një kanal të radio marrëse-dhënëse të Gardës. Të gjitha urdhrat që janë dhënë atë ditë, me orë se çfarë urdhri është dhënë, nga kush është dhënë, etj, janë të regjistruara. Ajo kishte shumë rëndësi për hetimin, madje u konsiderua si provë e re dhe gazetari Artan Hoxha e ka dorëzuar duke dhënë shpjegimet përkatëse duke thënë burimin nga e kishte marrë, mënyrën sesi ishte marrë kjo dhe ka shumë rëndësi për hetimin. Hetimi po vazhdon, do vazhdojë me pyetje dhe deklarime të tjera të familjarëve të viktimave por edhe persona të tjerë të cilët janë plagosur rëndë të cilët ishin shënjestruar për t’u vrarë.
