Erion Veliaj i është drejtuar sot Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë për të kundërshtuar si antikushtetuese masën e sigurisë “arrest në burg”, të vendosur ndaj tij nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në shkurt të vitit 2025.
Kryebashkiaku i Tiranës pretendon se masa e sigurisë i ka cenuar lirinë individuale dhe njëkohësisht ushtrimin e mandatit të tij si i zgjedhur vendor. Në argumentet e paraqitura në Gjykatën Kushtetuese, Veliaj shprehet se arresti ndaj tij është joproporcional dhe në kundërshtim me standardet kushtetuese dhe ato të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Sipas tij, gjykatat nuk kanë analizuar në mënyrë të plotë kriteret për vendosjen e masës së sigurisë, ndërsa thekson se ligji parashikon mundësinë e gjykimit në liri kundrejt garancive pasurore pas kalimit të një periudhe të caktuar kohe.
Veliaj pretendon gjithashtu se është paragjykuar për shkak të statusit dhe funksionit publik, pa pasur prova konkrete për akuzat e ngritura ndaj tij.
Nga ana tjetër, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar rrëzimin e ankimit, duke argumentuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme dhe dyshime të arsyeshme të konfirmuara nga të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Sipas SPAK, fakti që Veliaj vijon të mbajë funksionin e kryetarit të bashkisë krijon rrezik ndikimi mbi dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët e drejtësisë.
Kjo është hera e dytë që Erion Veliaj i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Më herët, ai fitoi një tjetër betejë ligjore, pasi Kushtetuesja e riktheu në detyrë pas shkarkimit nga Këshilli Bashkiak, duke e konsideruar procedurën si jokushtetuese.
Seanca e sotme konsiderohet një rast precedent, pasi është hera e parë që Gjykata Kushtetuese shqyrton çështjen e një kryetari bashkie që ndodhet njëkohësisht në burg dhe në detyrë.
