Pazaret me dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit vazhdon në Shqipëri. Pa dyshim ata që kanë informacion mbi dosjet që janë kryesisht drejtues e pjesëtarë të sigurimit të shtetit, shërbimit informativ shtetëror, por edhe drejtues të lartë të qeverisë e shtetit që i kanë marrë ato në mënyrë të pa ligjshme dhe në mënyrë kriminale përdorin për qëllime pushteti dhe interesa të tjera të paligjshme. Hapja për publikun e dosjeve të Sigurimit të Shtetit do t’iu hiqte një armë të fortë pushteti të gjitha atyre që kanë dijeni për to dhe i përdorin për shantazh e për kontroll të njerëzve pjesë e këtyre dosjeve. Këtë lojë të ndyrë bënë socialistët ku pjesë e saj me sa duket është dhe kryetarja e Autoritetit të Dosjeve Gentiana Sula. Ishte kjo e fundit, e cila vitin e kaluar në bashkëpunim me qeverinë ngritën zërin si asnjëherë më parë se të gjithë spiunët do të dilnin përfundimisht nga politika dhe institucionet shtetërore. Madje në mendjen e të gjithë qytetarëve u krijua ideja se spiuni Ilir Metaj, i cili u zbulua nga Autoriteti i Dosjeve do të zhdukej nga sistemi. Por jo vetëm këto që nuk ndodhën, nismat u bllokuan dhe askush nuk po flet më për këto që nga viti i kaluar. PS, madje PD dhe besnikët e Sali Berishës nxorën si kleçkë një rekomandim të Komisionit të Venecias dhe u shprehën se kjo temë kërkon më shumë diskutim. A ishte e gjitha kjo një lojë? Një shantazh politik?
Pse nuk e përmend më dosjen I.M Gentiana Sula?
Pak ditë më parë, Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, foli në një intervistë për dosjet e Sigurimit të Shtetit. Në asnjë moment ajo nuk e përmendi dosjen I.M, apo edhe ligjeve që u bllokuan për hapjen e dosjeve. Znj.Sula përmendi vetëm shifra e jo emra. Ajo tha se bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit ende kanë funksione publike. Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve u shpreh se diçka është bërë për të hequr këta “personalitete” nga funksionet e tyre, por se duhet bërë ende punë për të pastruar jetën publike nga këta individë. “Kuptohet që sa më i vogël numri, më të kënaqur jemi ne. Por mbetemi të pakënaqur, për sa kohë që propozimi ynë për reformën zgjedhore akoma nuk merret në konsideratë. Me mjetet që ka Kodi Zgjedhor, të mundësohet vetë-deklarimi. Sot jo çdo individ është i filtruar. Diçka është bërë me Komisionin Bezhani, por jo çdo institucion sjell listat e veta. Edhe partitë parlamentare nuk po i sjellin listat. Të informohet çdo institucion për kandidatët e vet në raport me implikimet me Sigurimin e Shtetit. Njerëzit shpesh nuk jetojnë më, por ka shumë rëndësi të dihen ca gjëra, për të bërë me dije se çfarë modelesh promovojmë në shoqëri”, tha Sula.
Si nisi debati sërish për spiunët?
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, përmes një dosje referuar në Kuvend, hodhi poshtë certifikatat e pastërtisë së figurës së Ilir Metës nga komisionet Mezini dhe Bezhani, duke e implikuar në ish Sigurimin e Shtetit. Sipas Autoritetit, Ilir Meta ka bashkëpunuar me ish Sigurimin e Shtetit, duke spiunuar edhe shokun e tij, Filip Talo. Pas këtij informacioni, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla doli në një konferencë për shtyp, ku ndër të tjera tha se rasti ishte tronditës dhe Kuvendi duhet të reagonte patjetër. Ajo thirri kryetarët e grupeve dhe kryetarët e komisionit të sigurisë dhe të komisionit të ligjeve, të cilët i informoi mbi letrën e Autoritetit, identitetin e politikanit me inicialet I. M, si edhe shprehu gatishmërinë për ta mbledhur Kuvendin në çdo kohë. Ndërkaq, Ilir Meta ka mohuar që të jetë ai bashkëpunëtori i ish Sigurimit të Shtetit, duket hedhur poshtë informacionin e Autoritetit të Dosjeve. “Në atë kohë kam qenë vetëm Sekretar i Rinisë së Fakultetit të Ekonomisë. Unë njoh nja 40-50 Ilir Metaj. Në klasën time kemi qenë dy Ilir Metaj. Ilir Meta ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë i pastër në ndërgjegjen e tij dhe në të vërtetat e tij”, tha Meta. Ilir Meta kallëzoi penalisht anëtarët e Autoritetit të Dosjeve me pretendimin se kishin falsifikuar dosjen, duke e implikuar atë. Ligji u bë gati për ta zhdukur nga politika, por gjithçka u ndërpre në mes.
