Arben Ahmetaj fundos Ramën pas vizitës së Altin Dumanit në Zvicër, SPAK shtyn hetimet për të zbërthyer denoncimet e…

Data

Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi ditën e djeshme se ka shtyrë me 3 muaj të tjerë hetimet për ish-zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj. Afati i fundit i SPAK për të kopsitur dosjen “Ahmetaj” është caktuar në datë 22 Dhjetor të këtij viti, ku me pas organi i akuzës pritet të zbresë hetimet në Gjykatën e Posaçme, për kalimin ose jo të dosjes për gjykim. Kjo lëvizje e prokurorëve erdhi menjëherë pas vizitës së Altin Dumanit në Zvicër. Mësohet se kreut të SPAK i janë vendosur në dispozicion dosjet voluminoze të dëshmitarit kyç të aferave të qeverisë, Arben Ahmetaj, i cili pas shpalljes në kërkim nga SPAK, prej disa muajsh qëndron në një nga lagjet më të pasura në Zvicër, bashkë me bashkëjetuesen e tij, Eriola Hoxha dhe vajzën që ka me këtë të fundit.

Denoncimet e Ahmetajt, dosje të kopsitura për SPAK-un

Të gjitha deklaratat publike të Ahmetajt janë indicie për të nisur hetime. S’i kemi parë dokumentet që janë tashmë dhe në duart e SPAK, por nëse do jenë ashtu siç thotë ai, ato janë dosje të kopsitura me prova dhe fakte. Dosja e parë që tashmë ndodhet në tavolinën e SPAK vërteton një nga shumë denoncimet e tij. Me disa verifikime të thjeshta në internet, të ardhurat e kompanisë turke e cila fitoi mes procedurash të dyshimta tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, konfirmuan akuzat e ngritura nga ish-zëvendëskryeministri, i cili e cilësoi këtë tunel si aferë të pastër korruptive. Të dhënat nga bilanci i kompanisë tregojnë se vetëm në vitin 2023, kompania turke raportoi fitime prej 12 milion eurosh, megjithëse nuk ishte angazhuar fare në ndërtimin e tunelit pasi punimet u kryen me nënkontraktor nga ana e kompanisë Gjoka Konstruksion. Pas deklaratave të Ahmetajt, nëse shihen datat e takimit në Ankara të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut me përfaqësuesit e kompanisë turke, del se pak javë pas takimit ata u shpallën fitues të tenderit të dytë megjithëse ofruan 50 milion euro më shumë se kompania Gjoka.

Akuzat

Sipas Ahmetaj, familja e kryeministrit është kapur në përgjim ambiental për tendera në vlerën e 43 milionë eurove. “Ja AKSHI ku është. Ka 8 muaj që investigohet, është bërë një përgjim ambiental që është në SPAK, edhe mund ta zhdukin, por dikush tjetër e ka. Dikush e ka, dhe ai dikush më ka garantuar se një kopje e saj, është në një kuti. Kanë bërë përgjim ambiental ku është përfshirë familja e kryeministrit tek AKSHI, 43 mln nëpërmjet prestanomeve”, u shpreh Arben Ahmetaj. Gazeta “SOT” ka denoncuar gjithë këto kohë aferat te AKSHI, ku tenderat i jepen vetëm një kompanie. Madje vetë Mirlinda Karçanaj, drejtuesja e këtij institucioni është me disa dosje në SPAK. Gjithashtu, gjatë daljeve për mediat nga arratia, Ahmetaj drejtoi gjithashtu gishtin tek Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj për inceneratorin e Tiranës, dosje e cila gjithashtu po hetohet nga SPAK. Informacionet që ka në duar Ahmetaj për aferën e “djegsave”, mund të hapin “Kutinë e Pandorës” dhe të shkaktojnë “tërmet” në politikën shqiptare. “Inceneratori i Tiranës, Edi Rama, Erion Veliaj e mundësuan.

Ishte i bllokuar. Pyeteni mbase është i sinqertë dhe tregon se çfarë ka komunikuar me kë në 2017 dhe tregon çfarë garancie joformale ka kërkuar nga kush e ka kërkuar, etj., etj. E di ça komunikimi kam pasur unë me Ramën që isha në spital? Kishte nevojë për akt normativ, jam ngritur nga shtrati. Këtë kam bërë unë. Jo nuk ka komunikuar me mua për inceneratorin e Tiranës. Unë kisha lënë shkresa, e zeza në të bardhë. Ka dy teori interesante konspiracioni. Kur ka teori konspiracioni të pavullnetshme dhe të vullnetshme të promovuara dhe sponsorizuara e vërteta fundoset, nuk ka më vlerë. Ku është bazuar e gjithë kjo historia e Ben Ahmetaj dhe inceneratorëve. Te njohja ime me Mirel Mërtirin. Tani kur dalin letrat unë e kam refuzuar inceneratorin e Tiranës. Sa për dijeni, pyesni dhe prokurorët, pyesni dhe Belinda Ballukun, kanë dalë me humbje kompanitë dhe te Fieri e Elbasani. Unë e kam kundërshtuar Tiranën. Kjo bullshit që këta thonë nëpër ambasada, nëpër media, jo po fjetja atje, fjeti këtu, fjetën bashkë apo veç, nuk ka lidhje fare. E nuk ka lidhje fare me akuzat që bëjnë. Belinda Balluku që nga 2019 gati 10 mld euro tendera. Pra, unë qenkam te thembra e Akilit?”, tha Arben Ahmetaj.

Të tjera dosje për SPAK

Ahmetaj ka zbuluar gjithashtu për mediat e huaja dhe rolin jetësor të mafies në ekonominë dhe politikën shqiptare: “Grupet kriminale marrin kontrata, pastrojnë paratë në Shqipëri me ndërtim. Ata koordinojnë me Edi Ramën”. Sipas akuzave të ish-zëvendëskryeministrit të arratisur, Rama do të kishte marrëdhënie direkte me krerët e klanit: “Kam takuar drejtues mafioz në zyrën e tij në godinën e qeverisë, i kam parë”. Ahmetaj pretendon se marrëdhëniet ndërmjetësohen nga një sipërmarrës nga Durrësi, Ergys Agasi, një biznesmen, në sektorin e duhanit dhe djali i një ish-deputet i fuqishëm socialist. Arben Ahmetaj u pyet edhe për çështjen e Ekoparkut në Durrës. Ai tha se pas tij janë njerëz të afërt të Ramës. “Pse një privat e ka bërë këtë projekt përpara se të shpallej nga kryeministri. Pse në këtë projekt është një nga njerëzit e afërt të kryeministrit. Pse nuk e ka bërë institucioni publik, pse u shpall më pas, në fillim u bë si projekt privat dhe pastaj u shpall publikisht dhe e morën njerëz të lidhur me atë që kishin bërë projektin. E morën zbatimin e projektit ata që e kishin bërë. Pse u bë pa tender. Pse nuk u nxor një urdhër për rindërtimin, njerëzit ishin jashtë, që të bëheshin pa tender, pse. A kishte më emergjencë?

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related