Analiza e DW: Pesë sfidat kryesore të ekonomisë botërore në vitin 2025

Data

Ekonomia botërore po përballet me sfida që pritet të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mirëqenien globale.

1. Donald Trump 2.0 fillon në janar

Mënyra se si do të shkojë viti 2025 për ekonominë botërore varet kryesisht nga një njeri: Donald Trump, presidenti i zgjedhur i ekonomisë më të madhe në botë. Kjo do të thotë se zhvillimet e mëtejshme – edhe përtej vitit 2025 – janë të paparashikueshme dhe të vështira për t’u vlerësuar.

Pasojat e të ashtuquajturit koncept “Amerika e Para” do të shtrihen shumë përtej kufijve të SHBA-së dhe humoret e Trump-it do ta ndryshojnë rendin global që njohim.

Prosperiteti, globalizimi dhe luftërat e largëta do të vendosen kryesisht në kryeqytetin amerikan të Uashingtonit. E re është vetëm pasiguria dhe kaosi që mund të shoqërojë vendime të tilla

Trump ka vënë në dyshim bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ka kritikuar ashpër aleatët dhe NATO-n. Aleanca të reja tregtare dhe një Amerikë e orientuar nga vetja mund të kenë pasoja të gjera. Mungesa e një roli të qartë udhëheqës të SHBA-së do t’u japë mundësi vendeve si Kina, India dhe Rusia të mbushin boshllëqet ushtarake, politike dhe ekonomike.

2. Doganat, luftrat tregtare dhe çmime më të larta

Kompanitë preferojnë të planifikojnë paraprakisht dhe prandaj kërcënimi që mund t’u vijë nga rritja e doganave është shqetësues. Trump e sheh idenë e tij si një mundësi për të ndëshkuar vende të tjera për deficitet tregtare të SHBA-së. “Fjala tarifë doganore është fjala më e bukur në fjalor”, tha ai në tetor.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024, Trump kërcënoi me tarifa të përgjithshme prej 10 deri në 20 përqind për të gjitha mallrat e importuara në SHBA dhe deri në 60 përqind për mallrat kineze që nga dita e tij e parë në detyrë. Kohët e fundit, ai ka thënë se synon një tarifë prej 25 përqind për të gjitha mallrat nga Meksika dhe Kanadaja. Për mallrat kineze do të vendosej vetëm një tarifë prej 10 përqind. Meksika ndërkohë ka kërcënuar me tarifa doganore për prodhimet amerikane. Kina mund të bëjë të njëjtën gjë. Kryeministri i Kanadasë vizitoi Trump-in në Florida për të parandaluar një gjë të tillë.

Për kompanitë e përfshira në zinxhirët globalë furnizimit, një rritje e taksave doganore do të ishte një lajm i keq. Ato do të dëmtonin fqinjët e Amerikës dhe me gjasë do të shkatërronin marrëveshjen e tregtisë së lirë midis SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë (USMCA), e cila u përfundua gjatë mandatit të parë të Trump-it.

Aktualisht, rreth 80 përqind e eksporteve meksikane dhe mbi 75 përqind e eksporteve kanadeze shkojnë në SHBA. Më shumë se gjysma e importeve amerikane të frutave dhe perimeve vijnë nga Meksika. SHBA importon çdo ditë dru dhe miliona fuçi naftë të papërpunuar nga Kanadaja.

Në fund, konsumatorët amerikanë do të përballen me çmime më të larta ose me rafte bosh nëpër dyqane. Ka zëra që pretendojnë se Trump do ta përdorte kërcënimin e tarifave kryesisht si mjet negocimi. Por një blof i tillë mund të çojë në masa hakmarrëse dhe të përshkallëzohet shpejt në një luftë globale tregtare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related