Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, kritikoi mënyrën e funksionimit të procesit ligjvënës në Kuvend gjatë aktivitetit “Dialog Politik me fokus Anëtarësimin në BE: Përforcimi i Cilësisë Legjislative Përmes Vendimmarrjes Gjithëpërfshirëse”, organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).
Në fjalën e saj, Tabaku u shpreh se integrimi europian nuk mund të reduktohet vetëm në miratimin e ligjeve, por duhet të matet me mënyrën se si ato zbatohen dhe me funksionimin real të institucioneve demokratike.
“Integrimi europian nuk është një garë për numrin e ligjeve të miratuara. Ai është një test i zbatimit të tyre, i funksionimit të institucioneve dhe i cilësisë së demokracisë”, deklaroi ajo.
Sipas Tabakut, procesi i ligjbërjes në Kuvend nuk udhëhiqet më nga procedurat parlamentare apo standardet demokratike, por nga vullneti i shumicës parlamentare. Ajo ngriti shqetësime për mungesën e debatit real dhe përdorimin e procedurave të përshpejtuara për miratimin e ligjeve.
Deputetja demokrate tha se nismat që lidhen me kërkesat e Bashkimit Europian shpesh mbeten të vonuara dhe jashtë vëmendjes së duhur.
“Nuk ka debat të vërtetë për integrimin europian. Ka shmangie, fshehje dhe propagandë”, u shpreh Tabaku.
Ajo shtoi se kriza e demokracisë nis në momentin kur kufizohet roli i opozitës dhe kur institucionet e pavarura humbasin autonominë e tyre.
“Evropa nuk matet me ligjet e votuara brenda një nate. Ajo matet me shtetin e së drejtës, standardet demokratike dhe respektimin e pluralizmit”, përfundoi Tabaku.
Në aktivitet morën pjesë edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ambasadori suedez Niklas Ström, deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
