Ambasada e SHBA u tregon “muskujt” të “paprekshmëve” dhe armiqve të reformës në drejtësi: FBI krah SPAK për të

Data

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të japin mesazhe të qarta dhe të forta për angazhimin e tyre në mbështetje të Shqipërisë dhe institucioneve ligjzbatuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ambasada amerikane në Tiranë, ka reaguar dje në rrjetet sociale, teksa u ka treguar “muskujt” të “paprekshmëve” dhe armiqve të reformës në drejtësi, duke ua bërë të qartë se FBI është krah Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të goditur korrupsionin dhe krimi e organizuar.

Ndër të tjera, ambasada njofton se prokurorët specialë i janë nënshtruar një trajnimi nga OPDAT dhe FBI, ndërsa e bën të qartë se SHBA do të mbështesë SPAK në arrestimin e të korruptuarve. “Fundjavën e kaluar OPDAT zhvilloi një seminar koordinues për prokurorët e SPAK në Peshkopi. Së bashku me përfaqësues nga OPDAT, ICITAP dhe FBI, prokurorët e SPAK u takuan për të diskutuar mbi përparësitë kryesore të SPAK. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me vendosmëri pranë institucioneve të pavarura të Shqipërisë në luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkoi dje ambasada e SHBA në Tiranë, pak minuta para se të niste protesta e thirrur nga opozita.

Mesazhi

Por duke mobilizuar burime të rëndësishme si FBI, amerikanët po tregojnë “muskujt” e tyre për të ndihmuar institucionet shqiptare në përpjekjet për reformimin e drejtësisë. Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të goditur ato që konsiderohen si “të paprekshëm” dhe për të ndëshkuar armiqtë e reformës. Kjo është një mundësi për të forcuar besimin e qytetarëve shqiptarë në institucionet e shtetit dhe për të krijuar një klimë më të sigurt dhe transparente.

Në një kohë kur sfidat e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë të pranishme në vendin tonë, angazhimi i SHBA tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar është çelësi për një të ardhme më të ndritur. Shqipëria, me mbështetje të fortë nga partnerët e saj, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe nga Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe ka potencialin për të përmbushur aspiratat e saj europiane dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë.

Ambasada e SHBA reagon për protestën e opozitës

Ndërkohë më herët gjatë paradites së djeshme ambasada e SHBA në Shqipëri, reagoi në rrjetet sociale për protestën e opozitës. Në reagimin e saj ra në sy fakti se nuk thuhej protestë, por demonstratë. Ajo u kërkoi qytetarëve të saj të bëjnë kujdes. “Ngjarja: Të hënën më 7 tetor është planifikuar të zhvillohet një demonstratë. Protestuesit planifikojnë të mblidhen te Kryeministria. në orën 18:00.

Pritet prania e shtuar e policisë, mbyllja e rrugëve dhe ndërprerja e qarkullimit. Policia e Shtetit Shqiptar ka këshilluar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzimet në pjesë të ndryshme të qytetit të Tiranës. Personeli i ambasadës amerikane është këshilluar të shmangë demonstratën. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit. Veprimet për të ndërmarrë: Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin këtë ngjarje. Monitoroni mediat lokale. Jini të vetëdijshëm për rrethinën tuaj. Mbani një profil të ulët”, nënvizoi ambasada amerikane në Tiranë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related