Prokurori i SPAK, Altin Dumani, ka ngritur shqetësimin për një konflikt të mundshëm interesi në mbrojtjen ligjore të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Gjatë seancës së dytë gjyqësore në GJKKO, Dumani deklaroi se ish-deputeti socialist Plarent Ndreca, i zgjedhur si avokat i Veliajt, është marrë në pyetje nga prokuroria gjatë fazës së hetimeve për të njëjtën çështje.
Sipas tij, kjo situatë mund të krijojë kushte papajtueshmërie për ushtrimin e mbrojtjes. “Ky avokat është pyetur në kuadër të këtij procedimi penal dhe mund të jemi në kushte papajtueshmërie,” u shpreh Dumani, duke ia lënë vendimin përfundimtar gjykatës.
Megjithatë, ai theksoi se prokuroria nuk ka kundërshtim të drejtpërdrejtë për vijimin e mbrojtjes nga Ndreca, por kërkon të shmangen probleme të mundshme në vijim të procesit.
Në të njëjtën seancë, Dumani kërkoi gjithashtu që për dy të pandehur të tjerë, Meriman Palushi dhe Ina Goxhaj, të caktohen avokatë kryesisht, pasi aktualisht ndodhen pa përfaqësim ligjor.
Çështja pritet të shqyrtohet nga GJKKO, e cila do të vendosë mbi vlefshmërinë e përfaqësimit dhe vijimin e procesit gjyqësor.
