Deputeti Enkelejd Alibeaj, një prej themeluesve të ‘Djathtas 1912, foli dje për sulmet e politikës ndaj SPAK. Alibeaj shprehet se është e pamundur që të shkrihet SPAK siç pretendon Berisha, ndërsa për këtë të fundit thotë se e sulmon Prokurorinë e Posaçme pasi ka frikë. “Si mund të thuash do shkrij një sistem drejtësie? Që nuk ka asnjë mundësi teorike për të zhbërë kushtetutën, veçse nëse bëhen bashkë votat e Edi Ramës dhe Sali Berishës. Edhe nëse BE dhe SHBA të heqin dorë nga zhvillimet institucionale në Shqipëri. BE këtu është promotori më i madhe që ky vend të shkojë në BE. Ka një nxitim nga BE për të hapur kapitujt. Zero mundësi ka të shkrihet. SPAK po luftohet nga dy grupimet e vjetra. Tregon se është shenjë e mirë, se është i paanshëm”, tha ai. Djathtas 1912 do futet në zgjedhje me lista të hapura ashtu siç duan shqiptarët thotë Alibeaj.
“Kemi qenë të parët me Shehin që në shtator krijuam grupin politik parlamentar të deputetëve. Besoj se kushdo që ka qenë i sinqertë me këtë betejë apo qëndrim, nuk duhet të ketë dyshim për tu pozicionuar krah shqiptarëve dhe krah drejtësisë. Por dhe që pranon listat e hapura. Nuk duhet të ketë frikë askush të përballet me qytetarët shqiptarë. Bisedime ka patur shumë, nuk fsheh asgjë. Nuk do doja ta quaj, ta lidh me emra individualë. Nuk bëhet fjalë për një apo 5 emra që mund të bëhen bashkë, nuk bëjnë shumicë. Shumica janë ato qytetarë që janë shumicë dërrmuese dhe që duan drejtësi dhe raporte të shëndosha me perëndimin. Me të gjithë kemi pasur diskutime”, u shpreh deputeti. Alibeaj ngre edhe shqetësimin lidhur me afrimin e partive kryesore në diasporë. “Interes publik që kjo qeveri, Edi Rama më 12 maj të mos gdhihet shumicë. Kjo do bëjë bashkë shumë shtresa sociale. Gjë e mirë që edhe pjesa shqiptarëve e dëbuar kanë të drejtë vote. Nuk më vjen erë e mirë ajo që po ndodh me ushtritë elektorale dhe patronazhistët në diasporë”, tha ai.
