Ish-deputeti Myslym Murrizi ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste televizive, zoti Murrizi shpreh bindjen se aleanca mes Sali Berishës dhe Ilir Metës është prishur, ndërsa zbulon se çfarë po ndodh brenda opozitës dhe tregon “recetën” që do të rrëzojë Edi Ramën nga pushteti.
-Zoti Murrizi, vula tashmë është një çështje e zgjidhur, ajo i kalon PD, asaj që deri dje e kemi quajtur Rithemelimi. Pikëpyetje shumë të mëdha janë se çfarë ndodh pas kësaj, saqë e sheh pozitivisht këtë gjë?
Nuk jam nga këto euforikët që ta shoh si i ekzaltuar. E shoh si kthimi i një ngjarje të vjetër tek pronarët. Nuk është vula, por është historiku, logoja, është simboli, kontributi i atyre demokratëve dhe opozitarëve që i kanë qëndruar 97-2005, derisa e sollën në pushtet PD dhe këtyre që i qëndrojnë në 11 vite opozitë. Më herët kam thënë që jo pak grupe janë larguar nga PD, nga ky grup i përbashkët miks që dje edhe gëzonin edhe qeshnin dhe qanin në gjykatë. Të gjithë kanë ikur jo si hajdut, përveç këtij grupi të fundit, të gjithë kanë marrë mundimin të mbledhin disa firma, e të bëjnë një vulë më vete, një logo më vete dhe i kanë dhënë një emër. Kanë provuar veten në betejë. Por i vetmi grup në historikun 32-vjeçar që ka ikur si hajdut duke marrë logo dhe historik të pamerituar është ky grup i fundit. Gjykata duke tejkaluar çdo afat, riktheu sendin e vjedhur tek ata që i kanë dhënë frymë me idealizmin e tyre dhe nuk kanë fituar asnjë qindarkë te pushteti qeverisës i PD-së. Misioni i përbashkët është përmbysja e qeverisë Rama.
-Ne e dimë sesi luhen pazaret, çfarë do të ndodh nëse i bëhet thirrje e posaçme sikundër iu është thënë deputetëve që t’i bashkohen grupit të PD, të kenë mazhorancën opozitare në Parlament dhe me këto të kushtëzojnë edhe Edi Ramën për reformën zgjedhore dhe për çdo tjetër dhe si shkëmbim ofrimi i vendeve në listën e kandidatëve për deputet. Çfarë shkakton kjo te pjesa tjetër e PD që e mbajtën Berishën dhe e mbështetën?
Humbje drastike e 2025-ës. E nëse ndodh, atëherë paska mision që të humb opozita katër mandate rresht, e kjo duhet të jetë përgjegjësi e të gjithë atyre që do të heshtin nëse ky pazar ndodh. Më pas ky është pazar i ndyrë siç ka ndodhur, e madje dhe pazare të tjera që na janë shitur si të suksesshëm.
-Aleatët në lista p.sh.…
Nuk është punë aleatësh. Falë kurajës sime nuk ka më lista 100% të mbyllura, e jo me pak 2/3 thotë Kushtetuta janë të hapura. Do të jetë vrastare për opozitën në veçanti PD nëse do të futet me listë edhe me 1/3 e mbyllur, sepse nëse hyn pa garë, nuk u mund dot Ramën pa garë. PD dhe opozita e ka jetike që të zbatoj Kushtetutën në 1000 përqind, ku jo më pak se 2/3ku do të thotë se çdo subjekt politik e ka në diskretin e tij që te mbajë 100% listat e pahapura. Ne duhet të rikthejmë garën mes vetes.
– Lulzim Basha deklaroi se ata që bashkëpunuan me Ramën, shihet se kush janë se iu dha dhe vula, pasi aludoi se Rama ia dha Berishës vulën, dhe se unë nuk bashkëpunoj dhe as bashkohem me njerëz që bashkëpunojnë me Ramën dhe me Ilir Metën…
Është deklaratë personale e një deputeti të 59-deputetëve që kanë dalë nga lista e PD 2021.
-Sa i takon bazës së partisë, ky vendim sjell një konsolidim të mirë dhe të shpejtë tani?
Të shpejtë jo por një frymë pozitive dhe një ngrohje shpirtërore për të gjithë ata militantë të cilët kanë mbajtur gjallë këtë opozitë dhe i kanë qëndruar rebelimit komunist e kanë kontribute nga krijimi i saj dhe kanë qëndruar me sakrificë për 11 vite. Nëse PD nuk shkon në një betejë frontale në Kuvend për të prish pazaret e 2008-ës, për t’ju dhënë mundësi qytetarëve shqiptar edhe diasporës që të votojë, që të mos kapen pas cic-micave për të ruajtur karrigen e tyre e nuk është ndonjë qamet i madhe nëse nuk bëhet Oerdi apo Myslymi depuetet e bëhet Flutra apo Gazi deputet, pasi problem është me përmbys qeverinë Rama. Nëse PD nuk rrezaton që do të korrigjojë veten duke kthyer garën te i zgjedhuri sepse aty burojnë të gjithë pushtetet, ne nuk mund të pretendojmë që të ketë garë as në tendera, as në punësime, as në elektorat dhe nëse iu shkojmë si ofertë të detyruese qytetarëve shqiptar që mes dy palë palaçove ti je i detyruar që të zgjedhësh palaçon tim se u mërzite me palaçot e Ramës , e kemi humbur davanë.
-A e shihni si mundësi shkëputje aleancën Berisha-Meta për zgjedhjet e 2025-ës?
Ato janë të shkëputur, nuk kanë aleancë. Meta tha vetë që ky koalicion nuk funksionoi megjithëse mori jo pak këshilltar me votat e PD. Teoria e delegimit të qytetarëve shqiptarëve, shkoni te kjo parti këtë herë e herën tjetër te partia tjetër, duhet të marrë fund njëherë e mirë.
-Shihni gjasa rrotacioni për zgjedhjet e 2025-ës me këto ndryshime që po bëhen?
Unë nuk jam për rrotacion. Unë jam për votacion. T’i krijojmë mundësinë qytetarëve që vota e tyre të mos preket në kuti të votimit, të votojë dhe diaspora dhe të kthejmë garën që e kemi vrarë me pazarin e Prillit 2008-ës e t’i themi shqiptarëve se çfarë do të bëjmë ndryshe nga qeveria Rama.
