Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ngritur sërish alarmin për situatën mjedisore në Lushnjë, duke denoncuar djegien e mbetjeve të rrezikshme në ambiente të hapura.
Përmes një reagimi publik dhe publikimit të pamjeve, ai pretendon se materiale potencialisht helmuese po digjen dhe tymi i tyre po ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e banorëve.
Sipas tij, kjo situatë është pasojë e menaxhimit të dobët të mbetjeve dhe funksionimit problematik të sistemit të trajtimit të tyre.
“Shikoni çfarë materialesh helmuese digjen dhe shkojnë në mushkëritë e çdo qytetari,” shprehet Korreshi, duke e cilësuar gjendjen si alarmante.
Ai ka ngritur gjithashtu pyetje mbi përgjegjësinë institucionale, duke kërkuar që autoritetet të reagojnë për ndalimin e praktikave të tilla që rrezikojnë shëndetin publik.
Çështja e menaxhimit të mbetjeve dhe funksionimit të inceneratorëve mbetet një nga temat më të debatueshme në vend, ndërsa raste të tilla shtojnë shqetësimin për ndikimin në mjedis dhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
