Shqipëria ndodhet përballë një rreziku serioz kolapsi energjetik dhe përjashtimi nga Traktati i Komunitetit të Energjisë po bëhet një skenar real. Alarmin e ngriti deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim të thellë, institucione të mbushura me patronazhistë dhe dështim të plotë në përmbushjen e detyrimeve europiane.
Sipas Bozdos, vendi ka marrë një paralajmërim zyrtar nga Ministeriali i Komunitetit të Energjisë për shkak se prej dy vitesh nuk raporton asnjë masë të ndërmarrë në përputhje me detyrimet e traktatit. Ky institucion, i mbështetur nga Bashkimi Europian, monitoron përafrimin e legjislacionit dhe reformave energjetike me standardet e BE-së.
Deputeti thekson se dështimet lidhen me mungesën e reformave reale në tregun e energjisë, mosgarantimin e sigurisë së furnizimit, bllokimin e tregtisë ndërkufitare, dobësitë në sigurinë kibernetike dhe mungesën e kapaciteteve institucionale. Sipas tij, kjo situatë tregon gjendjen reale të procesit të integrimit europian.
Bozdo vuri në dukje se sektori energjetik, i reklamuar prej vitesh si sukses i qeverisë, është në krizë të thellë financiare. Tre kompanitë publike që e dominojnë sektorin i detyrohen njëra-tjetrës dhe palëve të treta rreth 1.7 miliardë euro. Vetëm gjatë 12 viteve të fundit janë investuar rreth 1.5 miliardë euro, por pa rezultate të qëndrueshme.
Një nga kritikat më të forta lidhet me OSHEE-n, e cila sipas tij është kthyer në një institucion të politizuar, me drejtues nën hetim për korrupsion dhe me largim të specialistëve të sektorit, të zëvendësuar nga patronazhistë.
Deputeti denoncoi gjithashtu pagesën e rreth 90 milionë eurove për dy anije energjetike të quajtura “Tigrat”, të cilat sipas tij nuk kanë prodhuar asnjë kilovat energji, ndërkohë që nuk është investuar për riparimin dhe gazifikimin e TEC-it të Vlorës, edhe pse gazsjellësi TAP është funksional.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria vijon të blejë energji jashtë bursës, ndonëse ligji e detyron tregtimin përmes saj. Vetëm për vitin 2025 janë blerë rreth 230 milionë euro energji përmes dhjetëra procedurave, çka sipas Bozdos dëshmon nivel alarmant korrupsioni.
Ai shtoi se liberalizimi i tregut ka mbetur në letër, ndërsa mijëra biznese paguajnë energjinë me çmime të dyfishuara, pa pasur realisht një treg të lirë funksional.
Në përfundim, Bozdo deklaroi se kriza energjetike është pasojë e drejtpërdrejtë e qeverisjes aktuale dhe paralajmëroi se Shqipëria po largohet nga standardet europiane, duke rrezikuar sigurinë energjetike, ekonominë dhe integrimin në BE.
