Zgjedhjet në Himarë faktuan sërish atë që gazeta e ka shkruar dhe vazhdon ta evidentojë prej kohësh, një pazar i konsoliduar midis kryeministrit Rama dhe kreut të PD Sali Berisha për të shkatërruar SPAK, pasuruar, mbrojtur dhe mbajtur njëri-tjetrin të paprekshëm nga çdo kërcënim. Nëse amerikanët dhe britanikët e përzunë Berishën me “shkelma” nga politika, Rama po e riciklon sërish me pazare të pista. Gjatë gjithë kësaj kohe, PS e Edi Ramës ka qenë në negociata të fshehta me besnikët e Sali Berishës. Pas ngritjes së komisionit anti-SPAK dhe arritjes së pazareve për Reformën Zgjedhore, ku kreu i PD mban monopolin e opozitës përmes listave të mbyllura, Ramës i është “falur” në tavolinë Himara dhe kjo falë Sali Berishës dhe ndikimit të fortë të një tufe oligarkësh.
Që nga 2008, paratë e Ramës dhe Berishës janë shumëfishuar dhe oligarkët e lidhur me ta kanë vendosur pasuri marramendëse dhe ishte e pamundur që ata të mos fusnin “hundët” në zgjedhjet në Himarë. Sali Berisha gjatë gjithë kësaj kohe ka mbështetur “revolucionin” e tij nga këto biznese që marrin miliona euro nga qeveria. Mjafton të shohësh faktet dhe kupton lidhjen e fortë që ka Berisha me Ramën, përmes bizneseve që e mbështesin me miliona euro me të cilat ai mban peng Partinë Demokratike dhe blen median. Gazeta “SOT” ka përmendur edhe më parë emra të oligarkëve të Ramës dhe Berishës me të cilët ndajnë pushtetin. Rama është kujdesur që gjatë këtyre viteve të vendosë shtetin në shërbim të bizneseve të tyre, që në fund një pjesë e parave të shkojë në xhepin e tij dhe të Berishës. Disa nga ata janë Samir Mane, Florenc Gjikuria, Artan Gaçi, Aleksandër Frangaj e shumë të tjerë, të cilët me fitoren e Ramës në Himarë, iu hapen edhe më shumë rrugët e shtimit të pasurive me pronat në bregdet.
Deklarata që “demaskon” pazarin e Berishës
Që Himara doli zbuluar se ishte një pazar Rama-Berisha e nënkuptoi dhe këshilltari i Fredi Belerit, Skerdjal Dhuli, i cili deklaroi dje se humbja i faturohet gjithashtu edhe Partisë Demokratike. Sipas tij, demokratët nuk pranonin të shkonin komisionerë për Petro Gjikurinë. “Çfarë të bënim ne? Të importonim komisionerë nga një qytet tjetër? Në Borsh ne nuk gjenim dot komisionerë për katër qendra votimi, sepse thonin aman mos na çoni neve. Brenda koalicionit ka patur diskutime për t’i bojkotuar këto zgjedhje. Kryesisht demokratet thonin ne i fituam njëherë zgjedhjet e Himarës, pse të kandidojmë prapë. Po e zbuloj për herë të parë këtë”, tha Dhuli. Të gjithë e pamë tërheqjen e demokratëve për Himarën. Ndryshe nga zgjedhjet e tjera, përpjekjet e tyre ishin të pakta për të fituar Himarën.
Si e shiti Sali Berisha Himarën
Ka patur gjithashtu shumë akuza nga politika për një pazar Rama-Berisha me Himarën. Lulzim Basha akuzoi direkt Sali Berishën duke thënë se edhe tani që mori vulën, komisionerët dhe fondet, përsëri humbën sepse ish-kryeministri nuk ka interes fitoren, por do ta përdorë PD si strehë për të mbrojtur familjen e tij. “Sali Berisha ka shitur demokratët për të mbrojtur veten, sepse nuk ka as hallin e Himarës, as hallin e Shqipërisë, por vetëm hallin e tij. Demokratët dhe qytetarët e Himarës janë viktimë e pazarit Rama-Berisha”, shkruan Basha. Më tej, ai thotë se Sali Berisha mbrojti vjedhjen e zgjedhjeve nga Edi Rama në 2021 vetëm se i interesonte të sulmonte dhe fajësonte atë (Lulzim Bashën), ndërsa sot vazhdon të justifikohet për të pestën herë brenda 2 vitesh për humbje zgjedhjesh, edhe pse demokratëve u premtoi në foltoret e 2021 se ai do e largonte Ramën për 6 muaj. “Sot nuk ka revolucion, nuk ka rrëzim të Ramës, ka vetëm pazar, pazar përmes të cilit Rama i jep vulën dhe Berisha i dhuron pushtetin. Ajo që Rama dhe Berisha orkestruan në Himarë, është parathënia e asaj që duan të bëjnë në zgjedhjet e ardhshme në gjithë Shqipërinë”, tha ai.
Akuzat
Edhe kryetari i Nismës Thurje, Endrit Shabani është i bindur që Himara ka qenë pjesë e pazarit midis Ramës dhe kreut demokrat Sali Berisha. Sipas tij, ato kanë arritur një konsensus midis tyre, ku të dyja palët do të kishin përfitime, duke filluar nga pakti që Berisha të marrë vulën e partisë, ndërsa Rama të mbajë Himarën, vijon më pas me faljen e hajdutëve të votave nga Rama, në këmbim Berisha merr komisionet hetimore, dhe së fundmi shprehet Shabani, Berisha mban monopolin e opozitës përmes listave të mbyllura, ndërsa kryeministri fiton mandatin e katërt. “Jam i bindur që Himara ka qenë pjesë e pazarit Rama-Berisha 2024. Berisha merr vulën e partisë, Rama merr Himarën. Rama fal hajdutët e votave, Berisha merr komisionet hetimore, dhe sigurisht nja dy leje ndërtimi. Berisha mban monopolin e opozitës përmes listave të mbyllura, Rama merr mandatin e katërt. Kaq e thjeshtë është! Pazar për t’ia mbajtur çizmen në qafë popullit shqiptar!”- shkruan kryetari i Nismës Thurje, Endrit Shabani në rrjetin social, Facebook.
Gjithashtu, Shabani rikthen në vëmendje edhe marrëveshjet e tjera të nënshkruara më parë midis dyshes politike Rama-Berisha, ndërsa shton se ndryshimet në sistemin zgjedhor janë bërë në funksion të interesave të tyre personale politike, duke shkatërruar mundësinë e rimëkëmbjes së vendit. “Nëse sistemi zgjedhor nuk paska asnjë rëndësi, përse në 2008-ën dy armiqtë e përbetuar Rama-Berisha u morën vesh vetëm për ndryshimin e sistemit zgjedhor? Si ka mundësi që këta burra shteti u takuan natën për të ndryshuar Kushtetutën për një çështje kaq të parëndësishme?! Nëse sistemi zgjedhor nuk paska rëndësi, përse Rama sapo PD-ja ia la fushën bosh në Parlament e ndryshoi sistemin me kushtetutë?! Nëse ishte një çështje kaq e parëndësishme, përse nxitoi ta bënte përpara se të mbaronte mandati i kërpëratave?! Në fakt, për çdo njeri që ka një kuptim elementar për politikën, e di mirë se sistemi zgjedhor është baza e demokracisë”, vijon Shabani.
Pazari
Edhe analisti Namir Lapardhaja tha se zgjedhjet në Himarë janë një pazar mes Ramës e Berishës. “Bën pazar me qeverinë për amnistinë, për reformën zgjedhore dhe në fund sollën një kandidat nga SHBA për të kandiduar përballë një figure të njohur lokale dhe me shumë lidhje me zonën. E sollën nga jashtë për ta humbur garën, sepse dihet që te elektorati krijon efektin e kundërt, ndërkohë nuk pyetën demokratët e Himarës dhe të zonave përreth. Aq më shumë që kishin premtuar se të gjitha garat zgjedhore në PD do të realizoheshin nëpërmjet primareve”, shkroi ai ndër të tjera.
Debate te opozita
Nga ana tjetër, analisti Kreshnik Spahiu thekson se brenda koalicionit të opozitës ka patur konflikte pasi nga Athina dyshojnë se Berisha ka bërë një pakt me Ramën lidhur edhe me Himarën, pas paktit për kodin zgjedhor. “Dyshimi që ka Athina, se Himara mund të jetë pjesë e paktit Berisha Rama. Dalin nga një pakt dy javë më parë. Arsyeja pse ka pasur sot kontestime të ndryshme brenda opozitës, mund të ketë tradhti brenda llojit. Ka dyshime brenda aleatëve, PBDNJ dyshon se PD me PS mund të ketë bërë një deal që të hapet krahu në Himarë dhe tu jepet socialistëve. Bëhet fjalë për të gjithë minoritetin. Kanë dyshime që në një marrëveshje të heshtur mes Ramës dhe Berishës dy javë më parë, ku janë vendosur gjëra më të rëndësishme se Himara, pa dëshirën e SHBA, të cilët nuk përshëndetën ndryshimet në kodin zgjedhor. Kandidimi i Gjikurias vjen pas një konflikti brenda llojit. Ka dyshime pse u spostua djali i Belerit, në minutën e fundit. Ka dyshime pse dega e PD u la pas dorës. Ka dyshime për të gjithë procesin”, tha ndër të tjera Spahiu.
