Aksioni i SPAK në AKSHI, Tabaku: 96% e tenderave përfundojnë në një dorë – është vrarë konkurrenca dhe ekonomia e tregut nuk funksionon më

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas aksionit të SPAK në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke e cilësuar qeverisjen aktuale si një sistem të kapur, ku pushteti dhe paratë publike përqendrohen në pak duar.

Në një deklaratë publike, Tabaku tha se lista e institucioneve të kapura nga korrupsioni po zgjerohet dhe tashmë përfshin edhe AKSHI-n, një institucion kyç për administrimin e teknologjisë dhe të dhënave shtetërore. Sipas saj, shifrat janë alarmante: 96% e tenderave në sektorin e teknologjisë së informacionit përfundojnë tek i njëjti biznesmen, fakt që tregon shkatërrimin e plotë të konkurrencës.

“Qeveria sot është e delegjitimuar. Është si një anije që fut ujë nga të gjitha anët, me një kapiten që bën sikur nuk di çfarë po ndodh. Por është pikërisht ai që e ka ngritur këtë sistem,” u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate theksoi se bëhet fjalë për një sektor tepër të ndjeshëm, ku administrohen të dhënat personale të qytetarëve, gjendja civile, informacionet tatimore dhe elementë që lidhen me sigurinë kombëtare, të cilat sipas saj janë përqendruar sot në një dorë të vetme.

Tabaku nënvizoi se i njëjti model po aplikohet në çdo sektor të ekonomisë, nga infrastruktura dhe energjia, te bujqësia dhe teknologjia, duke përjashtuar bizneset e ndershme dhe profesionistët e rinj nga gara.

“Kur gjithçka shkon vetëm në pak duar, konkurrenca vritet dhe ekonomia e tregut pushon së funksionuari,” tha ajo.

Në përfundim, Tabaku deklaroi se ky sistem ka vrarë garën, ka vrarë konkurrencën dhe ka shuar shpresën për zhvillim të ndershëm ekonomik, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të ecë përpara me një shtet të kapur që po mbyt vetveten.

Aksioni i SPAK u ndërmor mëngjesin e sotëm. Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa biznesmeni Ermal Beqiri është arrestuar me burg. Hetimet lidhen me 12 procedura tenderuese që dyshohet se janë kryer në shkelje të ligjit, si dhe me masa sigurie të dhëna për zyrtarë të tjerë të përfshirë në proceset e prokurimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related