Pas një testimi gjashtë mujor, prej kësaj të shtune, 4 janar, autostrada 21 km e gjatë Kashar -Thumanë që lidh kryeqytetin me Veriun e vendit përshkohet me pagesë, për të gjithë ata që udhëtojnë me motor, autovetura, autobusë dhe kamionë. Nga Kashari në Thumanë dhe anasjelltas drejtuesi i një makine të vogël paguan 2.5 euro, (aktualisht 250 leke) vetëm për një kalim siç dëshmon edhe fatura. Drejtuesit e automjeteve që kaluan të parët në autostradën me pagesë thanë se punimet janë kryer pa cilësi nga koncesionari Gener 2, ndaj taksa është e pajustifikuar. Kompania koncesionare e biznesmenit afër Berishës, Bashkim Ulaj, që ka ndërtuar dhe mirëmban këtë rrugë, paralajmëroi në mes të dhjetorit se nga data 4 janar niste zbatimin e tarifës së miratuar, e cila fillonte nga 2.5 euro me TVSH.
Tarifat sipas mjetit ne Thumane Kashar
Kompania koncesionare ka sqaruar se tarifat që do të aplikohen do t’i referohen kursit të Bankës së Shqipërisë për konvertimin nga euro në lekë. Ndërkohë tarifat do të diferencohen sipas kategorisë së mjetit.
Tarifat sipas mjetit
Kategoria 1
Motoçikletat
Paguajnë 70% të vlerës bazë prej 2.5 Euro.
Tarifa përfundimtare: 1.75 Euro (rrumbullakosur në 1.8 Euro) ose 170 Lekë (sipas kursit EUR/ALL 1:98).
B. Kategoria 2:
Autoveturat (tarifa bazë)
Tarifa bazë: 2.5 Euro me TVSH.
Konvertuar në Lekë: 250 Lekë (me kursin EUR/ALL 1:98).
C. Kategoria 3:
Mjete me 2-3 akse dhe lartësi mbi 2.2 metra
Paguajnë 250% të vlerës bazë.
Tarifa përfundimtare: 6.25 Euro (rrumbullakosur në 6.3 Euro) ose 620 Lekë (sipas kursit EUR/ALL 1:98).
D. Kategoria 4:
Mjete me 4 ose më shumë akse
Paguajnë 350% të vlerës bazë.
Tarifa përfundimtare: 8.75 Euro (rrumbullakosur në 8.8 Euro) ose 870 Lekë (sipas kursit EUR/ALL 1:98).
Çmimet për Rinas – Kashar e Rinas – Thumanë
Ndërkohë janë zbuluar edhe çmimet e afishuara për degëzimin që lidh Rinasin me Kasharin dhe Rinasin me Thumanën ose anasjelltas. Ata që udhëtojnë me automjet të lehtë nga Tirana drejt aeroportit të Rinasit, dhe anasjelltas paguajnë 80 lekë. Ndërsa kushdo që lëviz nga Veriu drejt Rinasit dhe anasjelltas, me automjet të vogël paguan 170 lek.
