Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka kërkuar nga foltorja e Kuvendi i Shqipërisë zhvillimin e një interpelance për projektin Thumanë-Kashar, duke akuzuar mazhorancën për zvarritje të qëllimshme.
Shehaj theksoi se kërkesa për interpelancë me ish-zv/kryeministren Belinda Balluku është bërë prej kohësh, por sipas tij jo vetëm që nuk është zhvilluar, por është hequr edhe nga programi i punës së Kuvendit.
Ai e cilësoi të pajustifikuar argumentin se Balluku nuk është më në detyrë, duke insistuar se llogaridhënia duhet të ndodhë pavarësisht ndryshimeve në poste.
“Si është e mundur që zhduken kërkesat për interpelancë nga programi i punës? Nuk mund të shmangni llogaridhënien,” u shpreh Shehaj, duke shtuar se nuk mund të pritet deri në dy vite për një çështje të tillë.
Ai gjithashtu hodhi akuza politike, duke pretenduar se vendimmarrjet e fundit në drejtësi po ndikohen nga qeveria, ndërsa kërkoi që interpelanca të vendoset sa më shpejt në rendin e ditës.
