Seanca gjyqësore për dosjen e njohur si “Partizani” është shtyrë sërish, ndërsa GJKKO ka pranuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për thirrjen si dëshmitar të kryeministrit Edi Rama.
Gjykata vendosi gjithashtu të marrë në shqyrtim të gjitha provat shkresore të paraqitura nga SPAK, si dhe ato të kërkuara nga avokatët mbrojtës të të pandehurve.
Dosja “Partizani” ka kaluar për gjykim më 19 maj dhe lidhet me akuza për korrupsion pasiv ndaj zyrtarëve të lartë. Sipas organit të akuzës, Berisha, në kohën kur ishte kryeministër, dyshohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore që kanë sjellë përfitime për persona të lidhur me të.
Në këtë çështje është i përfshirë edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas hetimeve të SPAK, ai dyshohet se ka përfituar rreth 5.4 milionë euro nga aktivitete ndërtimi në mënyrë të parregullt.
Ndërkohë, në këtë proces janë të përfshirë edhe persona të tjerë, përfshirë biznesmenin Fatmir Bektashi, si dhe individë dhe kompani të akuzuara për pastrim parash.
Shtyrja e radhës e seancës vjen në një proces që ka tërhequr vëmendje të gjerë publike dhe politike, ndërsa pritet që në vijim të dëgjohen dëshmitarë dhe të shqyrtohen provat në detaje.
