Juristi i njohur, Romeo Kara paralajmëron të tjera telashe për ish-presidentin Ilir Meta. Në një intervistë për gazetën Z. Kara shprehet se afera “CEZ-DIA”, lobimet në SHBA, pazari me fibrat optike, fshehja e pasurisë dhe operacionet plastike janë vetëm fillimi për Metën, pasi po bëhen gati të tjera akuza dhe procese ndaj tij. Qëndrimi i tij përforcon bindjen se drejtësia shqiptare, pavarësisht presioneve dhe akuzave, po krijon një kulturë të re, ku askush nuk është mbi ligjin. Juristi flet gjithashtu edhe për deklaratën që bëri ish-deputeti Halit Valteri, një nga personazhet që i bëri Metës “gropën” në SPAK. Z.Kara shprehet se me paratë e tij të pafundme, Meta mund të hakmerret ndaj kallëzuesve dhe dëshmitarëve kundër tij.
-Zoti Kara, gjatë intervistës së tij të fundit, zoti Meta ka pohuar se ka pasur oferta për azil nga persona të afërt me qeverinë dhe SPAK. Çfarë mendoni ju për këto pretendime? A i shihni ato si një përpjekje për të ndikuar politikisht në proceset gjyqësore apo si një provë të tensioneve mes institucioneve të drejtësisë dhe politikës?
Së pari, duke e njohur Ilir Metën dhe duke parë në vazhdimësi prononcimet dhe veprimet e tij, duhet të kemi kujdes që të mos i marrim shumë seriozisht deklaratat e tij, pasi ai jo vetëm që gënjeshtrën e ka bërë pjesë të karakterit të tij tashmë, por ka kohë që ka rënë në pozitat e një deliranti që kërkon nga partia e tij ta dojë pa kushte dhe është në një depresion kronik.
Së dyti, nuk besoj se dikush nga mazhoranca ka kohë për hallet e Metës dhe, më tepër, që SPAK-u të bie në nivelin e tij.
Së treti, edhe pse nuk besoj tek trillimet e Metës, e konstatoj me vend hamendësimin tuaj që ka një tension mes politikës dhe drejtësisë dhe përpjekje të vazhdueshme, apo ndërhyrje të politikës për të ndikuar në procese të ndryshme gjyqësore. Sidoqoftë, gjyqësori po fillon të tregojë se ai po bezdiset nga politika dhe se nuk mirëpret, qoftë edhe me heshtje, asnjë intimidim, kërcënim apo ndërhyrje në punët e tij.
I gjithë sistemi i drejtësisë ka reaguar si një trup i vetëm ndaj kërcënimeve dhe denigrimeve që janë bërë në drejtim të prokurorëve të SPAK-ut apo gjykatësve të GJKKO-së nga çdo lider politik, cilido qofte ai. Përkundrazi, në perceptimin tim, nga mënyra se si ka reaguar Meta së fundmi, kam krijuar besimin se ka qenë pikërisht ai që ka konsideruar një kërkesë të tij për azil, pasi nuk ka asnjë arsye tjetër për të justifikuar çakerdisjen e tij në momentin e arrestimit.
-Zoti Meta ka bërë akuza të rënda ndaj SPAK, duke e cilësuar si të ndikuar dhe jo të pavarur. Si e vlerësoni ju këtë qëndrim të tij dhe cilat mund të jenë pasojat e këtij qëndrimi për besimin e publikut te institucionet e drejtësisë në Shqipëri?
Janë akuza qesharake, depresive dhe tërësisht të pabaza, pasi realiteti flet krejtësisht të kundërtën. SPAK-u e ka pozicionuar veten pothuajse tërësisht përballë establishmentit të vjetër dhe të korruptuar politik, pa asnjë dallim ngjyrash politike dhe pa asnjë preferencë tjetër. Pushtetarë dhe ish-pushtetarë, parakalojnë të dërrmuar por krenarë para dyerve të SPAK-ut dhe GJKKO-së, aq sa nuk na bën më përshtypje nëse janë apo jo ministra apo kryeministra.
Thjesht presim që besimi ynë të kompletohet duke parë të gjithë elitën politike sa më shpejt të merret nën akuzë prej tij, pronat e tyre të sekuestrohen dhe konfiskohen pas dënimit të tyre, dhe zyrat e pushtetit, rrugët e qyteteve si dhe ajri i tyre të pastrohen nga era squfurore që ata lëshojnë, prej mëkateve pafund që mbajnë mbi shpinë. Nuk lëkundet besimi i publikut tek drejtësia nga dërdëllitjet e Metës, përkundrazi, dërdëllitjet e tij rikonfirmojnë qëndrimin rigoroz të saj. Sa më shumë të vjellin vrer të korruptuarit e kallupit Meta përkundrejt drejtësisë, aq më në rregull është drejtësia.
