Kandidati për drejtimin e ri të SPAK, Adnan Xholi, ka paraqitur programin e tij para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke sjellë në vëmendje disa nga çështjet më të rënda kriminale që ka hetuar gjatë karrierës së tij, nga viti 1997 e deri më sot.
Xholi foli për përvojën e tij në hetimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe zyrtarëve të lartë, duke veçuar disa prej ngjarjeve më tronditëse që ka pasur në dorë.
Rrëmbimi i dy biznesmenëve: “I detyruan të hapnin varrin e tyre”
Një nga rastet më të rënda të përmendura prej tij lidhet me rrëmbimin e dy biznesmenëve në Gjirokastër nga grupe kriminale të strukturuara.
Xholi tregoi se viktimat u mbajtën peng për 18 ditë, gjatë të cilave iu nënshtruan dhunës fizike dhe psikologjike, ndërsa rrëmbyesit i detyruan të hapnin edhe varrin e tyre, për t’i frikësuar dhe detyruar të paguanin shumën e kërkuar.
Sipas tij, grupet kriminale kërkuan 100 milionë dhrami, dhe arritën të përfitonin rreth 20–25 milionë dhrami, ekuivalente me 80–100 mijë euro me vlerën e sotme.
Hetime ndaj zyrtarëve të lartë: Deputetë dhe një kryebashkiak
Prokurori tha se ka ushtruar juridiksion fillestar ndaj dy deputetëve në detyrë:
- Ka kërkuar heqjen e mandatit,
- Është dhënë autorizimi,
- Deputetët janë arrestuar dhe çështjet e tyre janë çuar në gjykim prej tij.
Ai u shpreh gjithashtu se ka hetuar një kryetar bashkie, i cili u dënua për shkak të mosdeklarimit të një dënimi të mëparshëm në Greqi.
Hetime te tjera: Grupi që vodhi 67 banesa dhe rrjete kriminale në tri qytete
Xholi përmendi edhe disa çështje të tjera të rëndësishme:
- Një grup prej 8 anëtarësh që vodhën 67 banesa, ku shumat monetare përdoreshin për aktivitete kriminale dhe transportoheshin në Shqipëri.
- Hetimin e një grupi kriminal që vepronte në Tiranë, Durrës dhe Fier, ku u identifikuan 48 anëtarë, nga të cilët 8 u arrestuan në Shqipëri dhe u dënuan me vendim të formës së prerë.
- Një çështje tjetër me 8 të pandehur, të cilën e ka hetuar bashkë me një kolege — të gjithë të dënuar.
Rikthimi i dosjeve të vitit 1997: Masakra e Cërrikut dhe Qafë Gjashtës
Një tjetër element i rëndësishëm ishte rikthimi i çështjeve të rënda të vitit 1997, të cilat qëndronin të pashqyrtuara për një dekadë.
Xholi tha se ka përfaqësuar në gjykatë dy ngjarje të rënda:
- Masakrën e Cërrikut
- Masakrën e Qafë Gjashtës
Ai theksoi se për tre persona ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm, dhe gjykata e ka pranuar kërkesën.
