Një bashkim prej tre kompanish të udhëhequra nga Agbes Construction janë shpallur fitueset në segmentin e parë të rrugës Elbasan-Lekaj. Bëhet fjalë për fazën e parë të ndërtimit të aksit Papërr-Ura e Grykshit, me fond limit prej 25.3 milionë eurosh.
Agbes, Aida Construction dhe Alba Construction ofruan 21 milionë euro për ndërtimin e segmentit, që është pjesë e autostradës Elbasan-Lekaj dhe më tej i Korridorit të 8-të.
Sipas dokumentave të publikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në tender u paraqitën plot 10 oferta nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit në vend. Oferta më e ulët ishte ajo e kompanisë Pevlaku, e cila ofroi çmimin 16.5 milionë euro ose gati 9 milionë euro më pak se vlera limit. Ramë Geci me Geci shpk ofroi çmimin 18.2 milionë euro, ndërsa BE-IS dhe Bami ofruan vlerën 19.6 milionë euro.
Megjithatë 3 ofertat më të ulëta u skualifikuan për shkak të mospërmbushjes së kritereve kualifikuese, kryesisht për shkak të angazhimit të stafit dhe makinerive në kontrata të tjera publike. Rrjedhimisht ARRSH ka shpallur fitues bashkimin e kompanive të udhëhequr nga fierakët e Agbes, të cilat ofruan një cmim 4.2 milionë euro më pak se fondi limit.
