PS depoziton draftin që ndalon pezullimin e ministrave nga GJKKO, Rama: Mbrojmë ndarjen e pushteteve

Data

Mazhoranca socialiste do të prezantojë dhe depozitojë sot në Kuvend ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale, të cilat synojnë të ndalojnë pezullimin nga detyra të funksioneve kushtetuese nga Gjykata e Posaçme.

Nisma, e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, mban firmën e tij, të kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, si dhe të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Drafti pritet të prezantohet fillimisht në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS dhe më pas të dorëzohet zyrtarisht në Kuvend.

Ndryshimi prek nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, duke saktësuar se masa e pezullimit nga detyra nuk do të zbatohet ndaj funksioneve që burojnë nga Kushtetuta, si Presidenti i Republikës, Kryeministri, anëtarët e kabinetit qeveritar, Avokati i Popullit, Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Sipas Ramës, nisma nuk lidhet me një rast konkret, por me parimin e ndarjes së pushteteve. Ai argumenton se pezullimi i një funksioni kushtetues prodhon efekt të barabartë me shkarkimin, pasi paralizon institucionin dhe ushtrimin e kompetencave të tij.

Nga ana tjetër, opozita dhe përfaqësues të drejtësisë e kanë konsideruar këtë ndërhyrje si një përpjekje për të kufizuar kompetencat e gjyqësorit, në një moment kur SPAK ka kërkuar arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Socialistët theksojnë se drafti nuk zgjeron imunitetin dhe nuk pengon hetimin penal, por synon të qartësojë boshllëkun ligjor pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk arriti të japë një vendim përfundimtar lidhur me pezullimin e një anëtari të qeverisë.

Debati pritet të zhvendoset në seancën plenare, ku mazhoranca do të kërkojë miratimin e ndryshimeve, ndërsa opozita ka paralajmëruar kundërshtim të fortë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related