“A ka zhvillim pa kullë?”/ “Rozafa e re” e Ramës po projektohet mbi një tokë me konflikt gjyqësor në Shkodër

Data

Projekti i kullës shumëkatëshe në qendër të Shkodrës po planifikohet të ndërtohet mbi një truall në konflikt gjyqësor, ndërkohë që urbanistët dhe qytetarët janë të shqetësuar për ndikimin që do të ketë mbi zonën muzeale të qytetit.

Në mesin e korrikut, kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci u shfaqën në një konkurs privat mes 5 studiove të arkitekturës për të zgjedhur projektin e një kulle shumëkatëshe në hyrjen e zonës muzeale të Shkodrës. Projekti i përzgjedhur u pagëzua si “Rozafa e re” nga Rama, ndërsa Beci e mburri atë si “inovativ”.

“Është një objekt që ne synojmë të krijojë një ikonë të këtij shekulli për Shkodrën, e cila është shumë e pasur,” deklaroi Rama nga tribuna.

Projekti i kullës në Shkodër po zhvillohet nga “Rozafa Group” dhe mbështetja e kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Benet Beci pa kaluar ende hallkat zyrtare të miratimit ngre pikëpyetje për një paracaktim të mundshëm të vendimeve që pritet të merren në të ardhmen nga institucionet përgjegjëse. Por ky nuk është problemi i vetëm. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë gjithashtu se trualli ku ndodhet hotel Rozafa dhe ku projektohet të ngrihet kulla shumë herë më e lartë gjendet në konflikt gjyqësor dhe pretendohet nga familja Laçej, Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.

Pretenduesit janë njohur si pronarë të shpronësuar të pjesëve të truallit në zonë dhe janë në procese gjyqësore prej tre dekadash me një grup ish-të përndjekurish politikë, të cilët e përfituan hotel Rozafën përmes një vendimi qeverie në mesin e viteve ’90 dhe ia shitën atë më vonë biznesmenit të Rozafa Group, Agustin Uldedaj.

“Ky është një provokim i rëndë që i bëhet jo vetëm pronarëve të truallit, por edhe i bëhet karshillëk gjithë popullit të Shkodrës me një ndërtim pa vlerë, duke vjedhur tokën e qytetarëve të ndershëm,” u ankua Vjollca Laçej, 65 vjeç, një prej anëtarëve të familjes pretenduese, duke iu referuar projektit të kullës.

Përveç shqetësimeve mbi pronësinë, projekti i kullës kritikohet nga urbanistët, arkitektët dhe qindra qytetarë në Shkodër, të cilët thonë se kjo do të dëmtojë pjesën muzeale të qytetit. Një peticion i nisur menjëherë pas prezantimit të projektit në korrik, ka mbledhur tashmë mbi 1 mijë firma dhe e konsideron kullën “një vepër të përbindshme që prish ekuilibrat e një arkitekture unike në të gjithë Shqipërinë”. Biznesmeni Agustin Uldedaj i hodhi poshtë pretendimet për tokën, duke theksuar se ai e kishte blerë atë vite më parë.

“Unë ua kam blerë 42 vetë, grupi i të persekutuarve. Me tokë dhe objekt, kam 15 vite jam certifikuar nga kadastra,” tha ai.

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci refuzoi të komentonte mbi konfliktin e pronësisë, duke pretenduar se nisma për ndërtimin e kullës nuk ishte formalizuar. I pyetur mbi praninë e tij dhe të kryeministrit në një prezantim privat, Beci e konsideroi atë “si pjesmarrje për të dhënë këshilla”. Kryeministria nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e shkrimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related