Ndërkohë, pavarësisht replikave dhe ftohjes së marrëdhënieve, Uashingtoni dhe Kievi po vazhdojnë negociatat për shfrytëzimin e mineraleve strategjike ukrainase.
Më herët, refuzimi që presidenti Zelensky i bëri propozimit fillestar të Shteteve të Bashkuara acaroi presidentin Donald Trump – ka deklaruar një zyrtar i lartë ukrainas për agjencinë e lajmeve “AFP”.
“Bisedimet janë në zhvillim. Ka një shkëmbim të vazhdueshëm dokumentesh dhe jemi në pritje të përgjigjes amerikane”, ka bërë të ditur zyrtari, që ka ruajtur kushtin e anonimatit.
Ndërkohë, “New York Post” ka shkruar në edicionin online se presidentit Zelensky nuk ka më asnjë mbështetës në rrethin e ngushtë të presidentit Trump dhe përkeqësimi i marrëdhënieve dypalëshe rrezikon të dobësojë pozicionin e Kievit në bisedimet e paqes me Rusinë.
Një burim i afërt me Trump ka deklaruar për gazetën amerikane se për Zelenskyn dhe botën zgjidhja më e mirë është që të lërë detyrën dhe të emigrojë menjëherë në Paris.
