Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi një takim me komandantin e Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralin George Wikoff, ku u diskutua për situatën e sigurisë në Kosovë dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të vendit dhe Aleancës.
Sipas Haxhiut, gjatë takimit u vlerësua roli i misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ajo falënderoi admiralin Wikoff për angazhimin e NATO-s dhe ritheksoi se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i pandryshueshëm.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Haxhiu deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një objektiv strategjik i institucioneve të vendit dhe se Prishtina synon forcimin e mëtejshëm të partneritetit me Aleancën.
Gjatë vizitës në Prishtinë, admirali Wikoff u takua edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Sipas njoftimit të Kryeministrisë, palët diskutuan zhvillimet në fushën e sigurisë dhe koordinimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s. Kurti shprehu mirënjohje për kontributin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
NATO udhëheq misionin KFOR në Kosovë që nga qershori i vitit 1999, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Misioni bashkëpunon me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX) për ruajtjen e një mjedisi të sigurt. Në muajin qershor, NATO njoftoi se do të kryejë një rregullim gradual të pranisë së KFOR-it gjatë rreth një viti, duke vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë ka shënuar përmirësim.
