Forca të shumta të Policisë së Shtetit janë vendosur këtë të hënë në zonën përreth Kuvendit, ku pritet të zhvillohet seanca plenare, ndërsa është paralajmëruar edhe një protestë qytetare.
Seanca është parashikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa organizatorët e protestës kanë filluar grumbullimin e pjesëmarrësve pranë Parlamentit.
Sipas raportimeve nga terreni, janë vendosur masa të shtuara sigurie dhe është kufizuar qarkullimi i këmbësorëve në segmentin përpara godinës së Kuvendit. Qytetarët që lëvizin drejt zonës së Rrugës së Elbasanit po orientohen të përdorin itinerare alternative.
Policia ka marrë këto masa me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të seancës plenare dhe protestës.
Deri në publikimin e këtij materiali, nuk raportohen incidente dhe situata në zonë paraqitet e qetë.
