Policia e Shtetit ka njoftuar se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një 47-vjeçar, i dyshuar për plagosjen me armë zjarri të një 22-vjeçari në Kurbin, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 25 korrikut.
Sipas Policisë, i dyshuari, K. N., banues në Sanxhak, dyshohet se ka plagosur në këmbë shtetasin V. P., 22 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet bëjnë të ditur se, sipas hetimeve paraprake, pas ngjarjes i dyshuari është larguar nga vendi, duke marrë nën kërcënimin e armës edhe automjetin e 22-vjeçarit.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar dy gëzhoja në cilësinë e provës materiale. Policia njofton se vijojnë kërkimet për kapjen e të dyshuarit dhe gjetjen e automjetit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale të dyshuara “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja me armë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”.
Sqarim: Procedurat hetimore janë në vijim. Rrethanat dhe përgjegjësia penale do të përcaktohen nga organet kompetente, ndërsa personi i dyshuar prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
