Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kritikuar mënyrën e zbatimit të “Paketës së Maleve”, duke pretenduar se platforma e-Albania lejon aplikime edhe nga shtetas të huaj.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi deklaroi se kjo bie në kundërshtim, sipas tij, me deklaratat e mëparshme të kryeministrit Edi Rama, i cili kishte thënë se shtetasit e huaj nuk do të përfshiheshin në këtë paketë.
Për të mbështetur pretendimet e tij, Bardhi publikoi një video, ku shfaqet procesi i aplikimit në platformën e-Albania, duke argumentuar se ekziston mundësia e aplikimit si “shtetas i huaj”.
Në të njëjtën video, Bardhi përfshiu edhe një dialog me ChatGPT, duke pretenduar se kryeministri po e përdor inteligjencën artificiale në funksion të mbështetjes së politikave të qeverisë. Ai deklaroi se, sipas interpretimit të tij, as platforma e-Albania dhe as përgjigjet e inteligjencës artificiale nuk mbështesin qëndrimet e kryeministrit lidhur me këtë çështje.
Deri në publikimin e këtij materiali, Kryeministria nuk ka reaguar ndaj deklaratave të Gazment Bardhit.
