Rreth 150 vullnetarë, zhytës profesionistë, partnerë dhe përfaqësues të komunitetit lokal morën pjesë në nismën “Preserving Our Sea”, e organizuar në Porto Palermo për pastrimin e bregdetit dhe ujërave të zonës.
Aktiviteti u zhvillua për të katërtin vit radhazi, në kuadër të edicionit të gjashtë të Porto Palermo Festival, dhe synon të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm.
Kryeministri Edi Rama reagoi përmes rrjeteve sociale, ku e cilësoi nismën si një shembull të kujdesit për mjedisin dhe trashëgiminë natyrore. Sipas tij, aksioni bashkoi vullnetarë, zhytës profesionistë dhe komunitetin lokal në pastrimin e bregdetit, Kalasë së Ali Pashës dhe ujërave të Porto Palermos.
Sipas organizatorëve, iniciativa është pjesë e një projekti të mbështetur nga GIZ Albania për reduktimin e ndotjes nga plastika në brigjet shqiptare dhe nxitjen e praktikave të qëndrueshme në sektorin e turizmit.
