Policia e Shtetit ka publikuar informacion paraprak lidhur me aksidentin rrugor të ndodhur mëngjesin e së dielës në aksin Vlorë–Llogara, në vendin e quajtur Fushë-Dukat.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 06:10, një automjet tip furgon, i drejtuar nga shtetasi S. R., 22 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit, humbi jetën në vendngjarje pasagjeri I. H., 52 vjeç. Drejtuesi i automjetit dhe tre pasagjerë të tjerë u transportuan në spital, ku ndodhen nën kujdesin e personelit mjekësor.
Policia bëri të ditur se grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
Sipas autoriteteve, hetimet për ngjarjen vijojnë.
