Gjykata e Tiranës pritet të shqyrtojë nesër masat e sigurisë për Artemisa Islamajn dhe Orion Peçin, të arrestuar në lidhje me incidentet e regjistruara gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit.
Sipas burimeve nga organet ligjzbatuese, ndaj të dyshuarve janë administruar prova që, sipas hetuesve, i lidhin me veprime të dhunshme gjatë protestës. Autoritetet pretendojnë se Artemisa Islamaj ka siguruar mjete piroteknike për protestues të tjerë, ndërsa Orion Peçi dyshohet se ka plagosur një efektiv të Forcës së Posaçme “Shqiponja” duke hedhur një kapsollë.
Pas protestës, Policia e Shtetit shoqëroi për verifikime edhe rreth 30 persona të tjerë. Sipas raportimeve, një pjesë e tyre do të hetohen në gjendje të lirë.
Mes personave të shoqëruar kanë qenë edhe Dritan Goxhaj dhe Edison Lika, të cilët, sipas raportimeve, u lanë të lirë pas kryerjes së veprimeve procedurale.
Sqarim: Procedurat hetimore janë në vijim. Rrethanat dhe përgjegjësia penale do të përcaktohen nga organet kompetente, ndërsa personat e dyshuar prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
