Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për mënyrën e menaxhimit të protestës së zhvilluar para Parlamentit, duke pretenduar se ndaj protestuesve është përdorur forcë e tepruar nga Policia e Shtetit.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se gjatë protestës janë përdorur, sipas tij, lëndë kimike ndaj protestuesve paqësorë. Ai pretendoi gjithashtu se reagimi i policisë ka qenë i pajustifikuar.
Kreu i opozitës deklaroi se protestat do të vijojnë dhe se, sipas tij, lëvizja qytetare është në zgjerim.
Në të njëjtën deklaratë, Berisha kritikoi edhe vendimet e fundit të mazhorancës në Kuvend, duke pretenduar se shumica parlamentare ka miratuar nisma ligjore që favorizojnë interesa të caktuara. Ai iu referua gjithashtu financimit të koncertit të artistit Kanye West, duke përsëritur kritikat e tij ndaj qeverisë për përdorimin e fondeve publike.
Deklaratat përfaqësojnë qëndrimet e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Deri në publikimin e këtij materiali, nuk ka pasur një reagim nga Kryeministria ose Policia e Shtetit lidhur me pretendimet e ngritura prej tij.
