Organizatorët e protestave antiqeveritare kanë njoftuar zhvillimin e një tjetër tubimi këtë mbrëmje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke bërë thirrje për pjesëmarrje të qytetarëve nga i gjithë vendi.
Sipas organizatorëve, protestat do të vijojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre politike. Ata kanë akuzuar qeverinë për korrupsion dhe mungesë reagimi ndaj shqetësimeve të qytetarëve, ndërsa kanë deklaruar se synojnë të ushtrojnë presion përmes protestave të vazhdueshme.
Një ditë më parë, protesta para Kuvendit u shoqërua me tensione mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Sipas raportimeve, një pjesë e protestuesve hodhën vezë në drejtim të automjeteve të deputetëve, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe spraj me piper për të shpërndarë turmën dhe për të garantuar hyrjen dhe daljen e parlamentarëve.
Gjatë protestës u regjistruan përplasje dhe disa persona u shoqëruan nga policia. Në mbrëmje, protestuesit u mblodhën edhe përpara Kryeministrisë dhe zhvilluan një marshim në rrugët e kryeqytetit, ku u dëgjuan thirrje dhe slogane kundër qeverisë dhe klasës politike.
Sipas organizatorëve, protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Deri në publikimin e këtij materiali, autoritetet nuk kanë bërë të ditur masa shtesë lidhur me tubimin e paralajmëruar për këtë mbrëmje.
