Seanca plenare u shoqërua me tensione pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit, duke penguar vijimin e prezantimit të raporteve për Reformën Territoriale.
Situata u krijua pasi drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, njoftoi përfundimin e diskutimeve procedurale dhe kalimin në prezantimin e raporteve të përgatitura nga përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës.
Peleshi u dha fjalën bashkëkryetarëve të komisionit, Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi, për të paraqitur raportet përkatëse. Megjithatë, deputetët e opozitës kundërshtuan vijimin e procedurës dhe bllokuan foltoren, duke mos lejuar vazhdimin e prezantimit nga përfaqësuesit e mazhorancës.
Për shkak të ndërprerjes së punimeve, drejtuesi i seancës shpalli një pushim pesëminutësh, me synimin për rikthimin e normalitetit dhe vijimin e seancës pas lirimit të foltores.
