Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) do të shqyrtojë kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për nisjen e një hetimi penal në lidhje me personazhin e identifikuar publikisht me emrin “Nesti Angoni”.
Veliaj ka kërkuar që të hetohet autori i dokumentit që, sipas tij, ka shërbyer si bazë për nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), duke pretenduar se mund të jetë konsumuar vepra penale e falsifikimit të dokumenteve.
Më herët, Prokuroria e Tiranës vendosi të mos regjistrojë procedim penal, duke argumentuar se emri “Nesti Angoni” nuk rezulton në regjistrin e Gjendjes Civile dhe se institucioni nuk ka kompetencë për të shqyrtuar çështje që lidhen me hetimet e zhvilluara nga SPAK.
Ky vendim u ankimua nga Veliaj. Më 15 korrik, Gjykata e Tiranës shpalli moskompetencën për shqyrtimin e çështjes dhe vendosi ta kalojë atë në kompetencë të GJKKO-së.
Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Erion Çela, ndërsa deri në publikimin e këtij materiali nuk është caktuar ende data e seancës së parë.
Sqarim: Procedurat gjyqësore janë në vijim. Pretendimet e paraqitura nga palët do të vlerësohen nga organet kompetente, ndërsa personat e përfshirë prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
