Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi ndërprerjen e seancës plenare dhe shtyrjen e shqyrtimit të projekt-rezolutave për institucionet e pavarura në seancën e ardhshme.
Propozimi u paraqit pasi punimet e Kuvendit u ndërprenë dy herë gjatë ditës për shkak të tensioneve në sallë dhe kundërshtimeve të deputetëve të opozitës ndaj raportimit të Avokatit të Popullit.
Në fjalën e tij, Balla kërkoi që raportimet e planifikuara për institucionet, përfshirë Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH), Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Posaçme (SPAK), Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Avokatin e Popullit, të zhvillohen në seancën pasardhëse.
Ai u shpreh se qëllimi fillestar ishte zhvillimi i një seance të posaçme kushtuar raportimeve të institucioneve, por kjo nuk ishte e mundur për shkak të zhvillimeve gjatë punimeve parlamentare.
Deri në publikimin e këtij materiali, Kuvendi nuk kishte bërë të ditur rezultatin përfundimtar të votimit mbi propozimin e paraqitur nga Taulant Balla.
