Ka nisur dita e 47-të e protestës qytetare kundër qeverisë, me protestuesit që janë grumbulluar në sheshin “Skënderbej” përpara marshimit të paralajmëruar drejt Kryeministrisë.
Pjesëmarrësit vijojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me situatën ekonomike, nivelin e pagave, shërbimet publike dhe qeverisjen. Gjatë grumbullimit, një qytetar i moshuar deklaroi se, sipas tij, problemet ekonomike dhe sociale janë përkeqësuar.
“Çdo gjë është kundër popullit. Rrogat janë të vogla, spitalet janë copë-copë. Rama nuk e pranon situatën, asgjë nuk shkon në këtë vend, nuk po shohim asgjë të mirë,” u shpreh ai.
Sipas organizatorëve, protesta do të vijojë me marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri përpara godinës së Kryeministrisë.
Protestuesit kërkojnë ndryshime në qeverisje dhe reagim institucional ndaj shqetësimeve që, sipas tyre, lidhen me situatën ekonomike, shërbimet publike dhe funksionimin e institucioneve.
Nuk janë raportuar incidente gjatë fazës së grumbullimit të protestuesve.
