Marta Kos dënon deklaratën e ministres serbe: Është e paimagjinueshme që ajo vazhdon të jetë në detyrë

Data

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka dënuar sërish deklaratat e ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, lidhur me spastrimin etnik në Kosovë, duke shprehur habinë që ajo vazhdon të ushtrojë detyrën në qeverinë serbe.

Gjatë një fjalimi në Komitetin e Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane të Parlamentit Evropian, Kos u bëri thirrje politikanëve të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian të tregojnë përgjegjësi në deklaratat e tyre publike.

“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris atë që u tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi Marta Kos.

Deklaratat e Snezhana Paunoviç, të bëra më 11 korrik, shkaktuan reagime të forta në rajon dhe në arenën ndërkombëtare. Ajo deklaroi se, nëse do të kishte qenë në vendimmarrje gjatë luftës në Kosovë, do të kishte ndërmarrë veprime që u interpretuan si mbështetje për spastrimin etnik.

Deklarata u dënua edhe nga Mbretëria e Bashkuar, e cila e cilësoi gjuhën e përdorur si “të neveritshme” dhe theksoi se referencat ndaj spastrimit etnik nuk kanë vend në shoqëritë demokratike.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u distancua nga deklarata e ministres, duke theksuar se ajo nuk përfaqëson politikën zyrtare të Serbisë dhe se orientimi i shtetit serb është dialogu, paqja dhe stabiliteti, jo spastrimi etnik.

Nga ana e saj, Paunoviç deklaroi më 16 korrik se fjalët e saj ishin “nxjerrë jashtë kontekstit” dhe kërkoi falje presidentit Vuçiç dhe qeverisë serbe për pasojat politike të deklaratës, por nuk i tërhoqi komentet e bëra.

Kosova reagoi duke e shpallur Snezhana Paunoviç person të padëshiruar (“non grata”), duke i ndaluar hyrjen dhe tranzitin në territorin e saj.

Në fjalën e saj, Marta Kos u ndal edhe te procesi i integrimit evropian të Serbisë, duke vlerësuar se mbështetja e ulët për Bashkimin Evropian në vend lidhet edhe me retorikën e disa politikanëve dhe mënyrën e raportimit në media. Ajo theksoi se është e papranueshme që një vend kandidat për anëtarësim në BE të përdorë retorikë antievropiane apo gjuhë që nxit përçarje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related