Prokuroria e Tiranës ka vendosur të zgjasë me tre muaj afatet hetimore për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, duke argumentuar se nevojiten veprime të tjera procedurale për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, avokati i të pandehurit Elvis Shkambi ka kundërshtuar vendimin e Këshillit të Qarkut për miratimin e propozimit që gjyqtari i ndjerë të shpallet “Dëshmor i Atdheut”. Sipas mbrojtjes, nuk ekziston bazë ligjore e mjaftueshme për një vendim të tillë, për sa kohë çështja penale nuk ka përfunduar me një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Astrit Kalaja u vra me armë zjarri më 6 tetor 2025 brenda sallës së gjyqit, menjëherë pasi shpalli vendimin për një çështje pronësie. Ai humbi jetën gjatë transportimit drejt Spitalit Universitar të Traumës, në një ngjarje që u konsiderua ndër më të rëndat dhe më të rënda në sistemin shqiptar të drejtësisë gjatë dekadave të fundit.
Sipas hetimeve paraprake të Prokurorisë, Elvis Shkambi, së bashku me xhaxhain e tij Gjon Shkambi dhe palën tjetër në proces, Ragip dhe Ervis Kurtaj, ndodheshin në sallën e gjyqit për të dëgjuar vendimin.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi dyshohet se nxori një armë zjarri tip pistoletë dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit Astrit Kalaja. Më pas ai dyshohet se hapi zjarr edhe ndaj Ragip dhe Ervis Kurtaj, duke plagosur Ervis Kurtajn në krahun e djathtë dhe Ragip Kurtajn në pjesën e brinjëve në anën e majtë.
Në cilësinë e provës materiale, grupi hetimor sekuestroi armën e dyshuar të krimit, një pistoletë me mbishkrimin “Welt Waffen W. Germany, Cal. 7.65 mm Browning”.
Gjithashtu, në parkingun pranë Xhamisë së Namazgjasë u gjet automjeti tip “Mercedes-Benz”, në pronësi të Gjon Shkambit. Gjatë kontrollit të mjetit u sekuestruan 31 fishekë manovër të kalibrit 9 mm.
Prokuroria ka tashmë afat deri në muajin tetor 2026 për të përfunduar hetimet dhe për të dokumentuar plotësisht dinamikën e ngjarjes.
Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi vijojnë të mbahen në masën e sigurisë “arrest në burg”.
