Debat i ashpër në Kuvend mes Taulant Ballës dhe Erald Kaprit

Data

Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua me një debat të fortë mes deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe deputetit të Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, gjatë diskutimeve për projektligjin mbi tokën bujqësore dhe çështjet e pronësisë.

Taulant Balla akuzoi Kaprin për deklarata të pavërteta dhe sulme politike, duke i kërkuar të paraqesë prova për pretendimet e tij.

“Gënjeshtar me pagesë, do të mbahesh mend si mbajtës çante i një deputeti tjetër. Mbylle gojën. Erdhe, bëre një gabim dhe u kape me presh në dorë”, deklaroi Balla.

Deputeti socialist mbrojti paketën ligjore për bujqësinë, duke theksuar se ndryshimet janë pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.

“Nëse thua se ky ligj është bërë me porosi, i bie që paskam korruptuar edhe Bashkimin Evropian. Këto ligje janë pjesë e një pakete të rëndësishme për integrimin europian”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Erald Kapri reagoi duke akuzuar Ballën për përdorimin e familjarëve si formë presioni politik.

“Kurrë nuk kemi përmendur familjarë. E bëri Taulant Balla, sepse më bën shantazh duke më përmendur familjen. Përdorni gjithçka për të frikësuar dikë për mendimin e tij”, deklaroi Kapri.

Ai vijoi me akuza ndaj mazhorancës lidhur me çështjet e pronësisë në Vlorë, duke përmendur edhe dhënien e tokës për një investim strategjik të lidhur me aktorin turk Burak Özçivit.

“Nuk pate guxim të flisje për ‘Osmanin’ që mori tokë në Vlorë dhe për familjet që kërkojnë të drejtat e tyre të pronësisë. Përballë na ke dhe përballë do të na kesh. Do ta shohësh kush do të largohet më herët nga politika”, tha Kapri.

Debati vijoi me tone të larta, ndërsa përplasjet u përqendruan te projektligji për tokën bujqësore, pronësia në zonën e Vlorës dhe akuzat reciproke për interesa politike dhe private.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related