Elisa Spiropali ka dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë Socialiste një mocion për hapjen e debatit mbi atë që e cilëson si një marrëveshje të re për Shqipërinë.
Në një deklaratë për mediat, Spiropali tha se dokumenti u është drejtuar kryetarit të PS-së, Edi Rama, Asamblesë së Përgjithshme dhe të gjithë anëtarëve të partisë.
“E mbajta premtimin dhe sapo dorëzova në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë”, deklaroi ajo.
Spiropali theksoi se dokumenti nuk duhet të mbetet një nismë individuale, por të pasurohet përmes debatit dhe kontributit të anëtarësisë socialiste dhe të shoqërisë.
“Një marrëveshje për Shqipërinë nuk mund të hartohet nga një apo dy individë, por duhet të shprehë vullnetin e partisë dhe të shoqërisë”, u shpreh ajo.
Sipas Spiropalit, vendi ka nevojë për më shumë demokraci, përfaqësim, drejtësi shoqërore dhe një marrëdhënie më të drejtë mes shtetit dhe qytetarëve. Ajo vuri theksin edhe te kërkesat e të rinjve për ndryshim, duke deklaruar se Partia Socialiste dhe mazhoranca kanë mundësinë t’u përgjigjen atyre.
Spiropali sqaroi se nisma nuk synon krijimin e një fraksioni apo përçarjen e partisë, por bashkimin e energjive progresiste brenda PS-së dhe në shoqëri.
“Duhet t’u përgjigjemi qytetarëve jo me arrogancë, por me përulësi, duke i dëgjuar dhe duke i kanalizuar kërkesat e tyre edhe në rrugë institucionale”, tha ajo.
Në deklaratën e saj, Spiropali përmendi edhe drejtësinë si një prej çështjeve kryesore, duke e cilësuar pavarësinë e saj si një nga arritjet më të rëndësishme të mazhorancës.
