Kuçanaj pas debatit me Berishën: PD duhet të luftojë “mulizimin” dhe të rikthejë meritokracinë

Data

Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçanaj, ka reaguar pas debatit me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, duke akuzuar drejtuesit e partisë se nuk respektuan statutin dhe nuk lejuan shqyrtimin e një rezolute të depozituar prej saj.

Kuçanaj tha se dokumenti kërkonte afrimin e Partisë Demokratike me protestën qytetare dhe krijimin e strukturave që do të forconin lidhjen mes partisë, intelektualëve, studentëve dhe diasporës.

“Kam depozituar një rezolutë, të cilën kryetarja e Këshillit kishte detyrimin ta lexonte. Nëse miratohet ose jo, kjo është në dorën e anëtarëve, por nuk mund të nisësh detyrën duke shkelur statutin”, deklaroi ajo.

Sipas Kuçanajt, PD-ja duhet të kuptojë mesazhin e protestuesve dhe të mos vendosë në funksione drejtuese persona që nuk gëzojnë mbështetje qytetare.

“PD duhet të lexojë sheshin. Njerëz që nuk pranohen nga protestuesit nuk mund të katapultohen në pozicione”, u shpreh ajo.

Kuçanaj tha se në rezolutë kishte propozuar krijimin e një grupi intelektualësh që të shërbente si urë mes protestës dhe partisë, si dhe ngritjen e një forumi me studentë dhe përfaqësues të diasporës.

Ajo kritikoi gjithashtu ndikimin e sekretarit të përgjithshëm Flamur Noka në përzgjedhjen dhe promovimin e figurave brenda PD-së, duke e quajtur fenomenin “mulizim klanor”.

“Nuk mundet që kush kërkon të bëjë karrierë në PD të duhet të kalojë nga zyra e Flamur Nokës. Ka ardhur koha që partia të rikthehet te meritokracia dhe të shkëputet nga klanet”, deklaroi Kuçanaj.

Ajo paralajmëroi se do t’i bëjë publike edhe kërkesa të tjera, nëse zëri i saj nuk dëgjohet brenda forumeve të partisë.

“Kur PD-ja nuk dëgjon anëtarët e Këshillit, kemi një problem të madh. Partia duhet të afrohet me protestën”, përfundoi Kuçanaj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related