Përpjekjet e Shqipërisë për të siguruar organizimin e samitit të ardhshëm të NATO-s nuk kanë prodhuar ende një vendim përfundimtar, sipas një raportimi të medias amerikane Bloomberg.
Në artikull thuhet se kryeministri Edi Rama kishte lobuar intensivisht për kandidaturën e Shqipërisë dhe kishte kërkuar mbështetjen e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, përpara takimit të liderëve të Aleancës në Ankara.
Sipas Bloomberg, gjatë diskutimeve nuk u arrit marrëveshja e nevojshme që Shqipëria të konfirmohej si vendi pritës i samitit të ardhshëm të NATO-s.
Media pretendon se Rama nuk arriti të siguronte mbështetjen e mjaftueshme nga vendet aleate, pavarësisht përpjekjeve diplomatike të zhvilluara në prag të takimit.
Megjithatë, çështja raportohet se mbetet ende e hapur. Brenda Aleancës po shqyrtohen alternativa të ndryshme për vendin dhe datën e organizimit, ndërsa diskutimet mes shteteve anëtare vazhdojnë.
Sipas artikullit, pasiguria lidhet edhe me zhvillimet politike brenda NATO-s dhe me tensionet që mund të shoqërojnë takimet e ardhshme të nivelit të lartë.
Deri në momentin e raportimit, NATO nuk kishte bërë publik një vendim përfundimtar për vendin që do të presë samitin e ardhshëm.
