Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka deklaruar se largimi i saj nga Partia Socialiste nuk ishte një vendim i marrë në moment, por rezultat i një procesi reflektimi të gjatë, i ndikuar nga një sërë zhvillimesh dhe mospajtimesh mbi çështje që ajo i konsideron të rëndësishme.
Në një intervistë televizive, Koçeku tha se kishte shprehur edhe më herët qëndrime kritike brenda PS-së, veçanërisht për çështjet mjedisore dhe investimet në zonën që përfaqësonte.
“Ka pasur edhe kundërshtime të mëparshme për gjëra që unë i kam konsideruar jo të drejta. Kam mbajtur qëndrime për mjedisin, sidomos për Drinin dhe Bunën. Si deputete e pavarur mendoj se mund të kontribuoj më shumë, me më shumë liri dhe ndërgjegje.”
Ajo shpjegoi se protesta qytetare ndikoi në kohën e marrjes së vendimit, ndërsa fikja e telefonit kishte si qëllim shmangien e çdo ndikimi të jashtëm.
“Vendimi ka pasur një sërë ngjarjesh pas vetes. Protesta ndikoi që të mendoja se ishte momenti i duhur. Telefonin e fika që të mos ndikoja nga askush. Vendimin e konsultova vetëm me ndërgjegjen time.”
Koçeku tha se familja respektoi zgjedhjen e saj, ndërsa shtoi se gjatë mandatit kishte ngritur vazhdimisht shqetësime pranë kryeministrit për çështje që lidhen me zonën e Dukagjinit.
Sipas saj, ka qenë kritike ndaj vonesave në investime dhe ka diskutuar me kryeministrin për problematikat e zonës.
Duke folur për aktivitetin parlamentar, deputetja tha se ka ngritur në grupin parlamentar tema si hipotekat, mbrojtja e trashëgimisë arkitekturore dhe mjedisi, ndërsa konfirmoi se do ta përfundojë mandatin si deputete e pavarur.
“Do të vazhdoj si deputete e pavarur deri në fund të mandatit. Do të jem një zë kritik.”
Koçeku zbuloi gjithashtu se disa kolegë nga Partia Socialiste e kanë mbështetur privatisht për vendimin e saj dhe tha se gjatë një vizite në Bruksel ka diskutuar për situatën politike dhe protestat në Shqipëri.
Lidhur me reagimin e saj për ndërhyrjet në Theth, ajo theksoi se askush nuk e ka detyruar të publikojë apo të fshijë qëndrimin e saj.
“Besoj se ndërhyrja në Theth u bë në mënyrë të gabuar për nga koha, arroganca dhe mënyra e komunikimit, pavarësisht parregullsive që mund të kenë ekzistuar.”
Në fund, Koçeku sqaroi se nuk synon t’i bashkohet ndonjë force tjetër politike.
“Jam deputete e pavarur dhe nuk synoj t’i bashkohem asnjë grupimi politik. Do të vazhdoj të përfaqësoj qytetarët dhe kauzat që besoj.”
