Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se vendimi i qeverisë për të akorduar 4.2 milionë euro për koncertin privat përbën një shkelje të Kushtetutës dhe një përdorim të paligjshëm të aktit normativ.
I ftuar në një emision televiziv, Lapaj u shpreh se neni 101 i Kushtetutës lejon nxjerrjen e akteve normative vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur ekzistojnë njëkohësisht nevoja urgjente dhe rrethana të jashtëzakonshme, kushte që sipas tij nuk plotësohen në këtë rast.
“Koncerti ishte planifikuar prej muajsh. Nuk bëhet fjalë për një tërmet, një përmbytje, një pandemi apo një emergjencë tjetër që justifikon përdorimin e aktit normativ”, tha ai.
Lapaj argumentoi se akti i miratuar nga qeveria nuk vendos një normë të përgjithshme, por i referohet një subjekti konkret dhe një shume të përcaktuar, gjë që, sipas tij, bie ndesh me parimet themelore të legjislacionit.
“Ligjet nuk bëhen për individë apo kompani të caktuara. Një republikë që harton ligje me porosi për një subjekt privat është një republikë që cenon shtetin e së drejtës”, u shpreh ai.
Sipas Lapajt, relacioni shoqërues i aktit normativ nuk jep sqarime të mjaftueshme mbi destinacionin e fondeve, ndërsa argumenti se aktiviteti do të përmirësonte imazhin e Shqipërisë nuk mund të përdoret si bazë për financimin e një aktiviteti privat me para publike.
Ai bëri të ditur se çështja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesën për shpalljen e pavlefshme të aktit normativ dhe rikthimin e fondeve në buxhetin e shtetit.
Në deklaratën e tij, Lapaj shtoi se, sipas bindjes së tij, kjo çështje mund të sjellë pasoja ligjore për zyrtarët që kanë miratuar vendimin, duke e cilësuar rastin si një precedent të rrezikshëm në përdorimin e instrumenteve kushtetuese.
