Irani ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për administrimin e Ngushticës së Hormuzit, duke paralajmëruar se nuk do të pranojë asnjë ndërhyrje të Shteteve të Bashkuara në këtë korridor strategjik detar.
Zëdhënësi i selisë qendrore “Khatam al-Anbiya” të Forcave të Armatosura iraniane, Ebrahim Zolfaghari, deklaroi se Teherani do t’i kundërpërgjigjet çdo veprimi që, sipas tij, cenon sigurinë dhe sovranitetin e vendit.
“Ne nuk lejojmë dhe nuk do të lejojmë që Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit”, u shpreh ai.
Zolfaghari paralajmëroi gjithashtu vendet e rajonit që të mos ofrojnë mbështetje logjistike apo ushtarake për operacionet amerikane. Sipas tij, çdo bashkëpunim i tillë do të konsiderohej nga Irani si veprim kundër sovranitetit dhe sigurisë së tij kombëtare.
“Çdo bashkëpunim me SHBA-në dhe mbështetje logjistike për ushtrinë amerikane do të konsiderohet luftë kundër sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Iranit”, deklaroi ai.
Zyrtari iranian shtoi se një përshkallëzim i mundshëm mund të përfshijë edhe vende të tjera të rajonit, duke rritur më tej tensionet në zonën e Gjirit.
Reagimi i Teheranit erdhi pasi Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara synojnë të marrin rolin e “rojeve” të Ngushticës së Hormuzit dhe të garantojnë lundrimin në këtë rrugë ujore.
“Ne do ta mbajmë ngushticën dhe ndoshta do ta menaxhojmë atë. Do të jemi rojet e ngushticës dhe duhet të kompensohemi për këtë”, tha Trump në një intervistë për Fox News.
Deklaratat e dy palëve sinjalizojnë një përshkallëzim të ri të tensioneve, ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga rrugët më të rëndësishme për transportin ndërkombëtar të energjisë.
