Dhjetëra shqiptarë nga komunitete të ndryshme në Shtetet e Bashkuara u mblodhën përpara selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, në një tubim solidarizues me protestat që po zhvillohen në Shqipëri.
Sipas organizatorëve, në protestë morën pjesë qytetarë nga Michigan, Pennsylvania, Massachusetts, Connecticut, New Jersey, New York, Virginia, Washington D.C. dhe shtete të tjera, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për kërkesat e protestuesve në Shqipëri.
Gjatë tubimit u kërkua, ndër të tjera:
- Shfuqizimi i ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura.
- Shfuqizimi i kuadrit ligjor për Investimet Strategjike dhe legjislacionit që, sipas protestuesve, prek zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.
- Kufizimi në Kushtetutë i mandatit të kryeministrit në dy mandate.
- Reformë zgjedhore, rritje të transparencës në financimin e partive politike dhe miratimin e një Kushtetute të re përmes referendumit.
- Dorëheqjen e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie kalimtare jopartiake për mbikëqyrjen e reformave demokratike.
Sipas organizatorëve, në protestë u vu re një pjesëmarrje e konsiderueshme e të rinjve, të cilët mbanin pankarta dhe shprehën mbështetjen për kërkesat e protestuesve në Shqipëri, përfshirë edhe thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Kërkesat e paraqitura gjatë tubimit përfaqësojnë qëndrimet e protestuesve dhe organizatorëve.
